TIRANE- Moti i keq me reshje dhe era e forte, që kanë nisur që prej mesnatës, nuk ka sjellë shumë probleme në nisjen e trageteve nga porti i Durrësit, por ka pasur vonesa në ankorimin e trageteve në portin e Barit. Hysni Ruçi, kapiten në kapitenerinë e portit të Durrësit deklaroi sot për “shqiptarja.com” se 3 tragetet që janë nisur mbrëmë në mesnatë nga porti i Durrësit, duhej të mbërrinin në Bari sot në mëngjes, por kanë arritur të ankorohen vetëm në mesditë.

“Mbrëmë tragetet nga porti i Durrësit janë nisur në orarin e caktuar. Moti i keq nuk ka shkaktuar probleme tek pjesa e ujrave shqiptare, por në ujrat italiane. Vonesa e trageteve ka ndodhur për shkak të drejtimit të erës nga veriu që ndikon në bregdetin italian.”

Ndërkohë që në portin e Durrësit mbërritën tragetet “Rigel, “Ankara”, "Riviera del connero” dhe “Ionis” dhe përpunimi i trageteve ka vazhduar normalisht.

Moti i keq, deti me dallgë mund të jetë i pranishëm dhe gjatë mbrëmjes së sotme dhe në varësi të motit kapiteneria e portit do të marrë vendim për lejimin ose jo të trageteve nga porti i Durrësit.

"E njëjta situatë me mot të keq pritet të vazhdojë edhe sot. Madje sot në mbrëmje forca e detit pritet të shkojë 8-9 ballë, më shumë se mbrëmë kur deti shkoi deri në 6 ballë. Në varësi të kushteve ne do të vendosim të lejojmë ose jo nisjen e trageteve drejt Italisë, që janë parashikuar për sot në mbrëmje” deklaroi më tej kapiteni Hysni Ruçi duke saktësuar se në itenerarin e lëvizjes është parashikuar nisja e 4 trageteve.
(sg/shqiptarja.com)