Motoristët i bashkohen nismës për mbjelljen e pemëve, Veliaj: I fortë është ai që lë gjurmë (VIDEO)

Thirrjes së Bashkisë së Tiranës, se kushdo që zotëron një mjet të dhurojë pemë, i janë përgjigjur jo vetëm bizneset, por edhe qytetarë të ndryshëm, të ndërgjegjësuar për mbrojtjen e mjedisit. Nismës iu bashkua edhe grupi i motoristëve “Steelwings”, të cilët për çdo motor të tyre, kanë dhuruar një pemë në Tiranë, duke pasuruar kodrinat e Parkut të Liqenit Artificial.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi anëtarët e këtij grupimi të apasionuar pas motorëve për përgjegjësinë sociale të treguar ndaj komunitetit dhe qytetit. “Jam shumë i lumtur që na janë bashkuar edhe miqtë tanë nga “Steelwings”. Janë çuna jashtëzakonisht me pasion, që kanë një klub motoristësh dhe i janë përgjigjur thirrjes sonë se kush ka një motor ose një makinë, duhet patjetër të mbjellë një pemë, që të kompensojë karburantin që harxhon. Më vjen mirë që “Steelwings”-at e kanë marrë seriozisht dhe për çdo motor të tyre, kanë dhuruar një pemë në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Duke ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë edhe këto ditë të prillit, Veliaj tha se çdo arsye për të mbjellë edhe një pemë më shumë në kryeqytet është e mirëpritur. “Nëse dikush e mbjell për ditëlindjen e fëmijëve, për të përkujtuar prindin e vet, apo për të kompensuar atë që harxhon me motor ose makinë, të gjitha arsyet janë të mirëpritura për të bërë një Tiranë model. Sot nuk është cool ai që bën si i fortë, po ai që forcën e vet e tregon me shembuj, duke lënë një gjurmë, duke i lënë një pajë Tiranës sonë”, deklaroi ai duke 'thumbuar' opozitën.

Krahas nismës për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë edhe një nismë tjetër, që lidhet me rritjen e sigurisë së përdoruesve të rrugëve në kryeqytet. “Duam të nisim një fushatë për ndërgjegjësimin e përdoruesve të motorëve, sidomos ata që shpërndajnë ushqime, për të respektuar rregullat e trafikut, për të siguruar fillimisht jetën e tyre, dhe pastaj për të thyer rekordet e çuarjes së ushqimit në destinacion. Një qytet ku të gjithë punojnë më shumë për sigurinë në rrugë qoftë të atyre që janë mbi mjete apo të atyre që janë këmbësorë është një qytet miqësor për të gjithë”, tha Veliaj, ndërsa partneriteti pritet që të thellohet edhe më tej me caktimin e ditëve të veçanta pa automjete.

Në emër të grupimit të “Steelwings”, Eno Xinxo e cilësoi të jashtëzakonshme punën e bërë nga Bashkia e Tiranës për oksigjenimin e Tiranës. “Gjej rastin t’ju falenderoj si qytetar për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme që keni bërë për oksigjenimin e Tiranës. Unë jam një nga ata që e shijoj pafundësisht këtë pjesë, çdo mëngjes dhe ishte shumë kënaqësi për mua dhe për gjithë çunat tanë që të jepnim një kontribut. Një kontribut sado modest, por që në vetvete tregon diçka”, deklaroi Eno Xinxo.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Pr/ligjet e miratuara në Kuvend/ Rimbursohen profesionistët e lirë që paguan këstet e tatim-fitimit! Ngrihet shërbimi rezervist

Pr/ligjet e miratuara në Kuvend/ Rimbursohen profesionistët e lirë që paguan këstet e tatim-fitimit! Ngrihet shërbimi rezervist