Aventurë, relaks dhe eksplorim — kjo duket se është eksperienca e fundjavës për motoristët nga Kosova, të cilët zgjedhin Shqipërinë dhe më tej destinacione të ndryshme evropiane.

Të radhës që po kalojnë pikën kufitare janë 13 motoristë nga Prishtina. Ata tregojnë se kanë nisur një udhëtim të gjatë drejt Italisë, por, si gjithmonë, ndalesa e radhës është Shqipëria, aty ku kthehen çdo fundjavë për të shijuar bukuritë që natyra i ka dhuruar shtetit amë, siç thonë edhe vetë ata.

“Është vendi ynë. Kosovë dhe Shqipëri janë 1. Vijmë çdo fundjavë në Shqipëri” thotë njëri prej tyre për mikrofonin e “Report TV’.

Ndër destinacionet më të pëlqyera është ai drejt Valbonës dhe Shkodrës, destinacione të cilat karakterizohen nga rrugë panoramike dhe bukuri mahnitëse natyrore, duke e bërë eksperiencën e udhëtimit të veçantë.

“Vij çdo fundjavë në Shqipëri. Në Shqipëri na pëlqen gjithçka. Tirana na pëlqen të shëtisim, vazhdojmë në Vlorë, Sarandë e Ksamil. Rrugët janë të mira. Ke ku të shëtisësh. Ndonjëherë shkojmë nga Gjakova, në Bajram Curri e në Valbonë. Është perfekte” thotë një tjetër. 

Grupe nga Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova dhe qytete të tjera të Kosovës organizojnë udhëtime të rregullta në Shqipëri, duke sjellë ndikim pozitiv në turizëm dhe ekonominë lokale.