TIRANË, 10 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Ministria e Punëve të Brendshme reagoi sot ndaj akuzave të Partisë Demokratike.
Në një deklaratë përshtyp, MPB u shpreh se, "Partia Demokratike vijon fushtën e sulmeve ndaj Policisë së Shtetit. Është e vetmja Parti që sulmon Policinë dhe jo kriminelët. Sot doli një ish i dënuar për korrupsion dhe hodhi dozën ditore të shpifjeve absurde ndaj Policisë së Shtetit, nën moton e ditur tashmë, "na nxjerrin të shpifim në emër të Partisë e nuk mbajmë përgjegjësi për çfarë themi".
Ministria e Brendshme bën me dije publikun, se hetimet të cilave iu referohet lexuesi i deklaratës së radhës, janë nisur dhe ende sot vazhdojnë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (ish-SHKB).
"Çështja është në hetim për një punonjës policie të arrestuar tashmë, por gjithashtu po hetohet edhe për përfshirjen e mundshme të çdo punonjësi tjetër të Policisë së Shtetit, pa asnjë dallim", thekson MPB.
"I kujtojmë publikut se vetëm gjatë vitit 2014, janë arrestuar, proceduar penalisht dhe marrë masa administrative për mbi 11% të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky është treguesi më i qartë se sot në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, ashtu siç tregon vullnetin tonë të qartë për të pastruar rradhët e Policisë së Shtetit nga çdo punonjës policie që nuk zbaton ligjin", vijon deklarata.
Por, vijon MPB, "kjo tregon edhe trashëgiminë skandaloze që la qeveria e kaluar në Policinë e Shtetit, kontribut për të cilin është shquar edhe lexuesi i deklaratës së sotme, si i vetmi ish i dënuar për korrupsion që sot flet edhe për dekriminalizimin e Kuvendit".
"PD-ja mund të zgjedhë të bëjë politikë duke sulmuar Policinë e Shtetit, por do mbahet mend si e vetmja Parti që nuk dënon krimin, por ata që luftojnë krimin. Momenti për të korrigjuar, është gjithmonë. Ndaj i bëjmë thirrje PD-së të heq dorë nga pengimi i punës së Policisë së Shtetit dhe të rreshtohet në krah me ata që lutojnë krimin për të bërë më të sigurt vendin dhe jetën e qytetarëve", përfundon deklarata e MPB. /a.ke/