MPJ: Greqia ndërhyrje të përsëritur
Himara nuk është zonë minoritare

MPJ: Greqia ndërhyrje të përsëritur<br />Himara nuk është zonë minoritare
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar pas deklaratës së diplomacisë greke një ditë më parë, lidhur me një sherr fizik gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Himarës.

Tirana zyrtare i cilëson deklarata e Greqisë, ndërhyrje të përsëritur në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Sipas Ministrisë së Jashtme, Himara nuk është hapësirë minoritare, siç e reklamon Greqia në ngritjen e pretendimeve të saj për cenim  të të drejtave të minoritetit.
 
Deklarata e plotë:
"Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, shpreh keqardhjen që Greqia fqinje kërkon të instrumentalizojë aktet e padenja të kryera dje nga disa individë në Himarë, duke synuar të përfshijë në to çështje të respektimit të të drejtave të minoritet grek në Shqipëri.
Rasti në fjalë po trajtohet nga organet kompetente shqiptare. Në këtë kontekst, reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë përbën ndërhyrje të përsëritur në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe bie ndesh me angazhimin e Greqisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.
Është e papranueshme që, apriori dhe çdo herë, të nxiten dhe legjitimohen pretendime paternaliste mbi Himarën. Si historia ashtu dhe e tashmja dëshmojnë qartazi se nuk ekziston kurrëfarë baze për të reklamuar Himarën si hapësirë minoritare.
Përpjekjet e vazhdueshme për të instrumentalizuar çdo pakënaqësi individuale ose kolektive, synojnë shtrembërimin e realitetit të bashkëjetesës së shkëlqyer midis popullsisë shqiptare dhe minoritetit grek, i cili gëzon të drejta të plota, në baze të legjislacionit vendas, si dhe normave dhe konventave ndërkombëtare
".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'