TIRANE, 12 Shkurt/ATSH/-Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet arritjen e marrëveshjes midis liderëve të Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësimin e Gjermanisë dhe Francës, për t'i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm të armatosur dhe situatës tejet të rënduar humanitare në lindje të Ukrainës.
Marrëveshja e arritur mëngjesin e sotëm nënvizon edhe një herë rëndësinë që ka zgjidhja e konfliktit nëpërmjet mjeteve paqësore dhe dialogut politik gjithëpërfshirës.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon rëndësinë që palët në konflikt të angazhohen maksimalisht për të respektuar dhe zbatuar të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje dhe në mënyrë të veçantë respektimin e armëpushimit, largimin e armatimeve dhe luftëtarëve të huaj nga territoret e Ukrainës, krijimin e korridoreve humanitare, sigurimin e kufijve mes Ukrainës dhe Federatës Ruse dhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në interes të Ukrainës dhe qytetarëve të saj./a.g/










