TIRANE - Në një njoftim për mediat Ministria e Punëve të Jashtme sqaron votën abstenim të Shqipërisë ndaj rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme për Palestinën, duke thënë se Shqipëria iu përmbajt pikëpamjes për vazhdimin e procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

“Si një vend që e ka njohur Shtetin e Palestinës dhe mbështetur të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje, me qëndrimin e saj Shqipëria iu përmbajt pikëpamjes se vazhdimi i procesit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës dhe pranimit nga palët i ekzistencës së dy shteteve, të cilët jetojnë në paqe dhe siguri me njëri-tjetrin, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranueshme.

Ministria e Punëve të Jashtme gjen rastin të rishprehë vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me palët dhe komunitetin ndërkombëtar me synimin për të kontribuar në vendosjen e paqes dhe marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin për mediat të MPJ-së.

Dje Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash një rezolutë me anë të së cilës i njeh Palestinës statusin e shtetit vëzhgues jo Anëtar të kësaj organizate. Shqipëria abstenoi së bashku me 40 vende të tjera rajonit, Europës e më gjerë.

(eç/shqiptarja.com)