ATHINË - Një tjetër kapitull në të ashtuquajturin "sukses story" të kryeministrit grek, Andonis Samaras u shkruajt përpara disa ditësh. Këtë herë nga ana e MSCI.
 
MSCI, e cila ndjek ekonominë e 79 vendeve të botës dhe i rendit sipas madhësisë, gjendjes financiare cash, lehtësimet e tregut dhe të kapitalit, por edhe kushtet lehtësuese që ofron kuadri ligjor, ka raportuar se Greqia nuk ia ka dalë që të qëndrojë në katalogun e vendeve të zhvilluara, pasi nuk ka përmbushur disa prej kritereve bazë, për të qenë në renditjen e vendeve të zhvilluara.
 
“Standardi minimal, që shfaqin ekonomitë e zhvilluara dëshmojnë për përmirësime të vazhdueshme nga udhëheqjet politike e ekonomike të këtyre vendeve, në ecurinë nëpër vite. Megjithatë shumë pak përmirësime duket se janë bërë në Greqi”, thuhet në raportim.
 
Gjithashtu përmendet edhe shqetësimi i investitorëve për moderimet e rregullimet, që u bënë në vitin 2008 nga ana e qeverisë, të cilat vështirësuan thithjen e investimeve të huaja. “Paketat e shumta të ndihmës nga Bashkimi Europian dhe FMN, pakësimi dramatik i Produktit të Përgjithshëm Kombëtar dhe borxhi gjigand publik dëshmojnë se Greqia ka më tepër gjëra të përbashkëta me Hungarinë, sesa me Francën”,- thotë Wall Street Journal.
 
“Greqia ende përpiqet për shlyerjen e borxhit publik dhe investitorët nuk tregojnë interesim, pavarësisht masave shtrënguese që ka marrë Athina me shkëmbim kreditë ndërkombëtare, për të ngelur jashtë Eurozonës”.
 
Është hera e parë, që MSCI zhvlerëson një shtet nga “vend i zhvilluar” në “vend në zhvillim” qysh nga viti 1987, kur krijoi katalogun e vendeve, ekonomitë e të cilëve vëzhgonte. Në këtë mënyrë ky raport vërteton edhe një herë se realiteti ë Greqi është shumë më i ndryshëm nga ai realitet që duan të paraqesin qeveria greke.
 
Ajo arriti ta çonte Greqinë nga një vend i barabartë me vendet e tjera të BE në një vend lypës dhe të nënshtruar totalisht, me papunësi 28%, me një krizë të thellë ekonomike, politike e sociale, si edhe në një vend ku po eksperimentohen masat më të ashpra shtrënguese ekonomike e politike, ndoshta me synimin e marrjes së masave të tilla edhe në vende të tjera europiane, anëtare ose jo të BE-së.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)