Këngëtari i njohur Skerdi Ago ka pësuar një humbje të fortë familjare. Babai i tij është ndarë nga jeta pasi nuk ka mundur ta mposhtë një sëmundje të rëndë me të cilën përballej.

Në një postim të gjatë e të dhimbshëm në rrjetet socale, këngëtari rrëfen për luftën e të atit për muaj të tërë për jetën, për lotët e tij, për mllefin që ndiente kur e shihte në spital, ndërsa shpreh admirimin për paepërsinë e udhërrëfyesit të tij.

"Nuk do ta kem më një besnik.
Nuk do ta kem më një udhërrëfyes.
Nuk do ta kem më një shok më të mirë.
Nuk do të jem më me ty, baba…
M’u këput një pjesë e zemrës sime dhe ra, u thye përgjithmonë.
Kjo mbretëri mbeti me një karrige bosh, ku kurora është ende aty, e vendosur aty ku e la baba, dhe askush nuk guxon ta prekë.
Baba, ti më bëre këtë që jam sot, falë kulturës tënde dhe falë sakrificës me të cilën na rrite, na mësove dhe na edukove.
Luftova për ty me muaj të tërë që të kishe akoma jetë, duke u munduar e duke shpresuar se edhe një herë babi im do të jetonte gjatë, do të përmirësoheshe dhe do ta kaloje këtë sfidë… por na mposhti, baba… Luftova me çdo kthetër që më gjakoste shpirtin çdo ditë nëpër korridore pa ndjenja, ku i laja me lot sa herë gjeja një cep, sepse nuk doja t’i shihje lotët e mia. E di që do të rëndonin edhe më shumë mbi ty…
U mundova ta ruaja një qetësi që donte të shpërthente si vullkan, nga shumë gjëra që ti i di shumë mirë, baba. Por heshta në luginën e vetmisë sime, pa ulëritur atë mllef të madh që më përbënte ditë pas dite, sa herë të shihja të shtrirë në spital…
Tani je lart, tek i madhi Zot, dhe besoj se do kujdesesh për mua edhe pse je larg. Dhe diçka që më bëri edhe më burrë është se ti kurrë nuk u ankove. Kurrë nuk më the “s’jam mirë”, “jam sëmurë”. Thjesht luftove deri në fund, pa u ndalur. Tek ty pashë luftëtarin më të mirë të kësaj jete. Tek ty pashë gladiatorin që kjo botë nuk do ta ketë më, të paktën për mua.
Pusho në paqe, babi më i mirë dhe më i drejtë i kësaj bote. Mos u bëj merak, nuk kam lënë asgjë pa bërë. Çdo amanet që më le, i kam kryer të gjitha. Djali yt të do shumë dhe do të dojë deri në frymën e fundit. Dhe shpresoj që një ditë, aty lart ku ke shkuar, të jemi sërish bashkë.
Të dua, mbret i zemrës sime!"

Disa kohë më parë, edhe vetë Skerdi u përball me një gjendje të vështirë shëndetësore, por nuk ka ndarë shumë detaje.