Fitorja e Elbasanit mund të nxirrte dy skuadra nga lufta për titull, por befasia që shkaktoi Egnatia në Air Albania lë të hapur shumë skenarë. Në ndeshjen e parë të ‘final-four’ për këto skuadra, rrogozhinasit kampionë në fuqi për dy vite me rradhë, bënë befasinë e madhe duke mposhtur 0-4 Elbasanin. Një fitore që futi plotësisht në garë Egnatian për titullin kampion edhe pse më herët Elbasani dhe Vllaznia shiheshin si favoritë.

Pas ndeshjes trajneri i Egnatias Nevil Dede ishte shumë i lumtur, por saktësoi se ‘fitorja 4-0 ishte e ekzagjëruar’, duke lënë të kuptohet se nuk është diferenca e vërtetë e skuadrave. Ndërkohë në kampin e Elbasanit, trajneri Gvozdenovic ishte i tërbuar. Ai tha se Elbasani bëri një ndeshje shumë të dobët, ndërsa akuzoi lojtarët se e kishin mendjen te festa.

Kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje për secilën skuadër në ‘final-four’, Vllaznia vijon të udhëheq luftën për titull kampion me 31 pikë edhe pse u mposht 0-2 nga Dinamo. Po kaq pikë ka edhe Elbasani i vendit të dytë, ndërsa Egnatia u ngjit në kuotën e 30 pikëve. Disfata e Elbasanit, por edhe fitorja kundër Vllaznisë i ka dhënë Dinamos shpresë për të ëndërruar të pamundurën deri 1 javë më parë. ‘Nëndetësja’ tashmë është në kuotën e 27 pikëve, 4 më pak se kryesuesit.

Sfidat e ardhshme të ‘final-four’, për javën e dytë nga tre gjithsej, janë të shtunën me Vllaznia-Egnatia dhe të dielën Elbasani-Dinamo. Të dy përballjet nisin në orën 19:00 në stadiumin ‘Air Albania’.