Debatet për mungesën e garës në PD të enjten u zhvendosën edhe në studion e emisionit "Sot Live në Shqipëri" në "Report TV", ku diskutimi mes Lefter Maliqit dhe Albatros Rexhajt degjeneroi në sulme personale nga ana e Maliqit deri në largimin e Rexhajt nga emisioni.

Shkak u bë diskutimi për procesin e kandidimeve në Partië Demokratike e Shqipërisë, ku afati për dorëzimin e kandidaturave ka përfunduar në mesditë. Emra si Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu, nuk arritën të regjistrohen në garë, ndërsa kandidatura e vetme e zyrtarizuar dhe aspak surprizë mbeti ajo e Sali Berishës. Rexhaj e cilësoi bllokimin e garës si një sinjal negativ , duke shpjeguar  se kjo situatë dekurajon votuesit që nuk ndihen të përfaqësuar.

“Të pamundësosh garën është një sinjal i keq. Partia nuk është pronë apo kompani private. Partia funksionon në disa parime të ngjizura në të drejtën publike. Askush nuk mund tia pamundësojë të drejtën për të kandiduar, vetëm nëse kemi shkelje të rënda. Nëse je anëtar, parimet e te drejtës publike ta garantojnë të drejtën që të synosh e të garosh. Ky mesazh që po jep Berisha është mesazh i keq. Aty mund të garojë kush të dojë por prapë do të fitojë Berisha. Sa të jetë gjallë Berisha, ajo është parti e tij. Mesazhi që po jep është i keq dhe dekurajon forcat që nuk ndihen komod as me Ramën e as të frymëzuar e të përfaqësuar nga opozita. Mospjesëmarrja në process është votë për shumicën” tha Rexhaj.

Ndryshe e sheh situatën Lefter Maliqi i cili mendon se partia duhet të hapet, por pas zgjedhjes së Berishës kryetar.

“Pas datës 23, duhet bërë hapja e partisë. PD është lokomotivë. Duhet një riorganizim që nga kryesia, nënkryetarët, sekretariati. Duhet një frymë e re, një riorganizim i ri, sepse nëse do të vazhdojmë me të njëjtat figura, do jetë e vështirë në zgjedhjet lokale” tha Lefter Maliqi.

Por për Rexhajn, situata aktuale e PD-së tregon se opozitës i ka mbetur ora në vitet 90’ dhe ajo që i duhet është një katarsis.

“Kohë pas kohe është mirë që të bëhet një katarsis, një, pastrim një fillim nga e para, dhe opozita nuk po e bën. Kam përshtypjen që atyre u ka ngelur ora në vitet 90” tha Rexhaj.  

Diskutimi nisi të nxehej kur Rexhaj deklaroi se protestat e opozitës nuk kanë sukses, duke shtuar se “njerëzit ndërrojnë kanalin kur dalin këta të PD-së në TV”.

 Kjo deklaratë solli reagimin e menjëhershëm të Maliqit, i cili  tha se “PD është në mision dhe Berisha do ikë si fitimtar” dhe më pas sulmoi Rexhajn personalisht dhe e akuzoi për lidhje me mazhorancën

“Kur dëgjojnë dhëndrrin e Rilindjes vënë duart në kokë. Ky ka interesa personale me PS. Nipi i vjehrrit është bërë drejtor OST nga Belinda. Nënkryetari I bashkisë në Gramsh është vjehrri i këtij dhe nën hetim nga SPAK. Ky I shërben Rilindjes” tha Maliqi, ndërsa Rexhaj refuzoi tu përgjigjej këtyre sulmeve, dhe pavarësisht insistimit të moderatorit, u çua dhe u largua nga studio

 Me dakordësinë e Ilir Metës dhe Sali Berishës, Maliqi ka shpallur kandidaturën zyrtare për të garuar në zgjedhjet vendore në Kuçovë, duke e cilësuar vitin 2027 si një vit vendimtar për opozitën e bashkuar.