Goditja që bota po merr në çmime si pasojë e luftës në Ukrainë, në Shqipëri është më e ndjeshme për shkak se prodhimi vendas nuk furnizon plotësisht kërkesën që ka tregu për konsum.

‘Për perime e furnizon por jo gjatë gjithë vitit. Nuk po përballojmë dot nevojat e tregut tonë me qumësht të freskët që e kemi përballuar dikur. Nuk furnizojnë dot vendin me drithëra dhe situata pritet të bëhet edhe më problematike, nuk e përballojmë dot me fruta. Mungesa e financimit ka qenë një ndër shkaqet kryesore që ne kemi këtë nivel zhvillimi të sektorit. Rendimenti i prodhimit tek ne nuk mund të realizohet me këtë mbështetje që jepet, duhet të rritet investimi në ujitje kullim, për mekanizim, në konsolidimin e tokës me të paktën 60%’, thotë kreu i Agrobiznesit Agim Rrapaj.

Një raport i Bankës së Shqipërisë tregon se me 16.8% u rrit inflacioni i importuar në tremujorin e parë të vitit, si pasojë e përshpejtimit të rritjes së çmimeve. Përpos inflacionit që marrim nga produktet që blejmë nga jashtë, edhe prodhimi vendas i këtij viti do jetë me i shtrenjtë.

‘Prodhimi i këtij viti do të jetë pa-diskutim më i shtrenjtë si pasojë e kostove por dhe për shkak të konjukturës ndërkombëtare pasi janë shtrenjtuar të gjitha çmimet. Ka faliment të fermerëve sepse një pjesë kanë emigruar, një pjesë nuk e punojnë prej kostove dhe një pjesë tjetër e paformalizuar nuk e punon se nuk ka treg’, thotë Rrapaj.

Si pasojë e kostove të larta në prodhim, fermerët vendas janë më të interesuar ta eksportojnë mallin e tyre, pasi jashtë vendit e shesin më shtrenjtë.

‘Fermerët janë të interesuar ta eksportojnë prodhimin e tyre se sa ta shesin në tregun vendas pasi në import kanë çmime shumë më të larta. Kjo ka bërë që ne të merremi me importin e produkteve bujqësore’, thotë Rrapaj.

Ndërkohë rritja e çmimeve është e parashikuar të jetë prezente deri në vitin 2024, ndërsa për këtë vit konsumatorët presin që inflacioni të jetë në nivelin më të lartë historik, prej 7.3%.