PRISHTINË - Ministri i Diasporës, Valon Murati po qëndron në një vizitë pune në Kroaci, ku u takua me drejtoreshën e zyrës shtetërore për kroatët jashtë vendit, Daria Krsticevic dhe me delegacionin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Sportit, udhëhequr nga Ministri Vedran Mornar dhe ndihmës Ministri, Stasha Skenzhic.
Sipas KosovaPress, gjatë këtyre takimeve u prezantuan projektet aktuale të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, për bashkatdhetarët e të dy vendeve, ku u shkëmbyen përvojat në projektet si mësimi plotësues në gjuhën amtare, ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar, si dhe promovimi dhe avancimi i të drejtave socio-politike të diasporës.
Në takimin me Krsticevic, ministri Murati u informua mbi procedurën e miratimit të ligjit për kroatët jashtë vendit, si dhe me punën e Këshillit Qeveritar të Kroatëve jashtë Kroacisë.
Ministri Murati takoi edhe Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Sportit, Vedran Mornar, me të cilin u diskutua edhe situata aktuale mbi mësimin plotësues të gjuhës shqipe për bashkatdhetarët që jetojnë në Kroaci, ndërsa u diskutua mundësia e bashkëpunimit në këtë fushë për të ngritur numrin e nxënësve të gjuhës shqipe në shkollat në Kroaci./ATSH/