PRISHTINË,  3  Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Isa Mustafa i dërgoi një mesazh urimi Ambasadores së SHBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, dhe nëpërmjet saj mbarë popullit amerikan, me rastin e 4 Korrikut - Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai shprehet se, në këtë ditë kremteje, LDK-ja rithekson fuqishëm zotimin për thellimin e miqësisë sonë të përhershme me Shetet e Bashkuara të Amerikës dhe me popullin mik amerikan.
"Populli i Kosovës do ta ketë gjithmonë pikë referimi 4 Korrikun. Dita e Pavarësisë së SHBA-ve ka qenë dhe mbetet simbol i shpresës dhe i besimit për të gjitha kombet e qytetëruara të botës, të cilat janë të përkushtuara për paqe, harmoni dhe mirëkuptim në mes të gjithë popujve anekënd globit", thekson Mustafa.
Republika e Kosovës, vijon ai, në mënyrë të veçantë i gëzohet festës suaj kombëtare, sepse 4 Korriku për popullin e Kosovës shënon ditën e lirisë së një vendi mik, ditën e mëvetësimit të një kombi të madh, që lindi dhe u forcua duke besuar dhe duke luftuar për vlerat më sublime të demokracisë dhe të lirisë së gjithëmbarshme njerëzore.
"Me këtë rast, pikërisht në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, më lejoni, Shkëlqesia Juaj, që t'ju shpreh edhe një herë mirënjohjen e përhershme për ndihmën e jashtëzakonshme që ka dhënë dhe po jep vendi Juaj për Republikën e Kosovës.  Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e përjetshme në mes dy vendeve tona!", përmbyllë urimin Mustafa.