Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar ndryshime në kabinetin qeveritar. Pas zgjedhjes së Hashim Thaçit, në postin e presidentit të vendit, Mustafa foli për ndryshime megjithatë nuk përmendi emra pasi sipas tij nuk ka biseduar me partnerin e koalicionit për këtë çështje.
 
“Tani duhet të ulemi dhe të shqyrtojmë e analizojmë edhe njëherë situatën e të marrim vendime”, theksoi Mustafa.
 
Shefi i qeverisë ka komentuar edhe akuzat se zgjedhja e Thaçit president është bërë në formë antikushtetuese.
 
 “Opozita mund të verifikojë akuzat e saj, askush se ndalon, mund ti drejtohet gjykatë kushtetuese. Unë për veti kam qenë aty dhe kam parë një proces krejtësisht kushtetues, me pjesëmarrje të deputetëve që kërkon kushtetuta. Sa i përket deputetëve ne nuk iu kemi bërë presion deputetëve”, deklaroi kryeministri kosovar.
 
Sipas tij  me zgjedhjen e Thaçit president është evituar anarkia në vend.
 
Të premten e kaluar Hashim Thaçi u zgjodh president i vendit në raundit e tretë të votimit, ndërsa sin ë parlament dhe jashtë nuk munguan përplasjet. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com