Mustafa takon Komisionerin e
BE për zgjerimin, Johannes Hahn

Mustafa takon Komisionerin e<br />BE për zgjerimin, Johannes Hahn
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u takua sot në Bruksel me komisionerin e BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Nga Brukseli, në njoftimin e Kryeministrisë kosovare të sapodërguar, bëhet e ditur se gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe komisioneri Hahn kanë biseduar për proceset integruese të Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, liberalizimin e vizave si dhe dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

 Pas takimit, kryeministri Mustafa e vlerësoi shumë të rëndësishëm takimin me komisionerin Hahn. Kryeministri bëri të ditur se gjatë takimit ka ndarë preokupimet e Kosovës lidhur me integrimet në BE dhe hapat që do të ndërmerren. "Ne kemi përcaktuar prioritetet të cilat janë në harmoni me atë që pret Bashkimi Evropian nga ne në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e shtetit ligjor dhe reformave publike. E konsiderojmë me rëndësi themelore që ne të bëjmë hapa të rëndësishme në zhvillimin ekonomik. E konsiderojmë të rëndësishme punën që është bërë në përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe po ashtu do të punojmë shumë që të përmbushim të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave", tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa  theksoi edhe interesimin e shtetit të Kosovës që të vazhdojë dialogun me Serbinë, në mënyrë që të normalizohen përfundimisht raportet, por theksoi se do të punohet për marrëdhënie shumë të mira me të gjithë fqinjët në udhën e përbashkët të integrimeve në BE. Duke e falënderuar komisionerin Hahn për pritjen, kryeministri Mustafa shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës që të punojë shumë edhe për zgjidhjen e  problemeve aktuale që kanë të bëjnë më migrimin ilegal.

Komisioneri i BE-së për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, vlerësoi progresin domethënës të Kosovës në axhendën e integrimeve evropiane, që nga inicializimi i MSA-së në korrik 2014 si hapi i parë pozitiv në marrëdhëniet BE-Kosovë. Komisioneri Hahn shprehu përkrahjen dhe rëndësinë që i kushton BE-ja thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar edhe Konferencës së Ballkanit Perëndimor për Transportin që do të mbahet në Prishtinë. Ai theksoi nevojën e bashkëpunimit të afërt ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Komisioneri Hahn po ashtu e ka vlerësuar të rëndësishme që në Kosovë të ndërmerren reforma ekonomike, që të avancohet ekonomia dhe konkurrueshmëria e Kosovës, qe do te cojne ne rritje dhe në krijim të vendeve të punës. /ATSH/
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë