/ATSH/- Të gjitha zgjidhjet do bëhen në institucionet e Kosovës dhe nuk ka arsye të kërkohen në rrugë, tha sot kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë, e cila po vazhdon, ndërkohë që opozita ka paralajmëruar protesta këtë fundjavë.

"Do të vazhdojmë më tutje me konstitumin e Fondit për Zhvillim dhe institucioneve të tjera zhvillimiore në mënyrë që t'i zgjidhim problemet aktuale me të cilat sot ballafaqohen qytetarët dhe popullsia e Kosovës", siguroi Mustafa.

"Ne konsiderojmë se të gjitha çështjet duhet t'i zgjidhim në institucionet e Republikës së Kosovës, Qeverisë, Kuvendit dhe nuk ka asnjë arsye që zgjidhja e tyre të kërkohet në rrugë dhe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse këtë shtet e kemi ndërtuar me qasje institucionale, me përkrahjen e qytetarëve të Kosovës dhe kjo përkrahje do të jetë në forcimin e institucioneve tona, në forcimin e besimit, e sidomos për fushat vitale, të cilat mbështesin zhvillimin ekonomik", theksoi kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar bëri shqyrtimin dhe aprovimin në parim të nismës për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit për çështjet e integrimit në BE ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë, nënshkrimi i së cilës pritet të bëhet në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që do mbahet së shpejti.

Mes 14 pikave në axhendë, qeveria e Kosovës bëri sot edhe aprovimin në parim të nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim "Mbështetje institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës".

Në mbledhje, zv/kryeministri i parë kosovar e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, njoftoi qeverinë për vizitën zyrtare në Kroaci dhe Slloveni dhe mbështetjen e gjithanshme nga këto shtete, përfshirë të ardhmen euroatlantike të Kosovës.