Ai shprehet se lëvizja e dhjetorit ka qenë dita më e bukur e jetës së tij, duke nënvizuar kontributin e të gjithë atyre idealistëve që u përfshinë në lëvizjen që rrëzoi diktaturën, ndërsa ka nënvizuar faktin se sakrifikoi për lirinë të shkruarit, duke dhënë kontribut në lëvizjen demokratike e politikë, dhe gjetur vendin ku kontribuonte më shumë, në diplomaci. Për të si gjithkund ku ngjarjet vijnë papritur, është fataliteti i popujve dhe shoqërive në momentet dramatike të kthesave rrënjësore historike që të bien në dorë të amatorëve.
Duke folur për Berishën, Mustafaj thotë se ai e kupton se cikli i jetës politike të një individi ka ca limite që demokratët i respektojnë si të dobishme për interesin publik dhe se ai nuk mund të ishte protagonist në 25 vjetor për arsye të natyrshme që burojnë nga cikli i tij biologjik si njeri. Për të, Basha është kryetari legjitim dhe i vetëm i PD. Si njëri ndër themeluesit e PD shprehet se Majko, Meta dhe më vonë Rama, pavarësisht se janë në kampe të ndryshme politike, janë kontributorë të lëvizjes së dhjetorit që kurrsesi nuk mund të pronësohet as nga PD, pavarësisht se PD bën atë që i takon duke e vënë në krye të kalendarit të saj këtë datë.