Sipas tij, skenografia e ngritur në sheshin Skënderbej nuk kishte për qëllim të mbulonte monumentin e heroit kombëtar, por të përcillte mesazhe për të gjithë besimtarët e pranishëm në shesh.
Gurra i cilëson histeri kolektive akuzat në drejtim të organizatorëve dhe besimtarëve myslimanë, ndërsa thekson se ka përpjekje nga brenda dhe jashtë për të cenuar harmoninë fetare në Shqipëri.
"S’e përjashtoj mundësinë e një pjese, kushdo qofshin, brenda apo jashtë, janë përpjekur t’i fryjnë kësaj, të një ndasie të momentit, si p.sh myslimanët paskan këtë qëndrim ndaj figurës së heroit kombëtar. Përkundrazi, s’ka asnjë arsye, Skënderbeu dhe të gjithë heronjtë kombëtar, figurat historike, që kanë vënë sakrificat e tyre për ngritjen e themeleve të shtetit, ka myslimanë, të krishterë, mbeten figurat më madhështore që ka ky komb më shumë se çdo komb tjetër”, u shpreh Gurra.
Ai sqaron gjithashtu se myslimanët nderojnë çdo figurë historike të kombit shqiptarë që ka vendosur përpara kombin dhe atdheun.
"Skënderbeu ka qenë një moment historik domethënës për kombin shqiptar. Ne myslimanët e kemi kusht të patjetërsueshëm të kujtdo kohe, besimi që mbi gjakun e vet ka vendosur përpara kombin, atdheun".
Myftiu i Tiranës flet edhe për kërcënimet me jetë në adresë të tij, ndërsa sqaron edhe arsyen pse nuk ka bërë denoncim në polici.
Ndonëse të gjithë besimtarët myslimanë presin që Bajramin e ardhshëm ta festojnë te Xhamia e Madhe e Namazgjasë, Ylli Gurra ka një lajm jo të mirë.
Ai thotë se objekti nuk do jetë gati as për vitin e ardhshëm.
"As për Bajramin tjetër Xhamia e Namazgjasë nuk mund të përfundojë, nuk mund të jetë gati. Duhet më shumë se një vit. Pastaj, sipas kalendarit, kemi edhe një afrim të Bajramit për vitin e ardhshëm, në datën 12 ose 13 qershor, ndërsa Kurban Bajramin në datën 20 gusht. Xhamia nuk arrin dot të përfundojë, apo të dorëzohet në qershorin e vitit 2018. Pra, me 99% nuk është e mundur".
Z.Gurra, cili është komenti juaj lidhur me mbulimin me ekrane të mëdhenj të monumentit të Skënderbeut?
Si për çdo vit, organizimin e dy bajrameve, KMSH e ka bërë në hapësirat publike në bulevardin dëshmorët e kombit, dhe tashmë pas 9 vitesh, ritualet janë rikthyer në sheshin Skënderbej, ku falen besimtarët.
Për dje, skenografia u përgatit nga vetë KMSH për përcjelljen e mesazheve dhe ritualit të momentit të faljes në orën 07:00 të mëngjesit dhe për të lehtësuar lidhjen e pjesës së besimtarëve me pjesën udhëheqëse të namazit, pasi është një hapësirë e madhe prej 25 mijë m2 dhe vetëm përmes atyre ekraneve të mëdhenj mund të bëhej. Skena përbëhej nga dy ekrane të mëdhenj, njëri u flet zonjave besimtare, në të djathtë dhe në të majtë, është pjesa e besimtarëve.
Mund të vendoseshin në një pozicion tjetër ekranet?
Faktikisht në terren nuk kemi aspak një mbulim të monumentit të heroit tonë kombëtar. Nga skena ka një largësi 11 metra nga busti i heroit. Është e qartësuar dhe e dukshme që nuk ka një mbulim të bustit të heroit. Për shkak të hapësirës së sheshit, vendosjes së zonjave në të majtë, kërkohet edhe lartësia e ekranit dhe madhësia, në mënyrë që mesazhet të përcillen nga të gjithë. Po të shikoni sheshin, shtrirja e besimtarëve është nga Xhamia e At'hem Beut, pra nga monumenti i Skënderbeut e deri te Muzeu Kombëtar dhe Hotel Tirana.
Kurrsesi nuk ka asnjë arsye, asnjë shkak që ne të shkonim drejt mbulimit të monumentit të heroit tonë kombëtar për faljen e Bajramit. Ne ishim aty në qershor, në Bajramin e Madh dhe nuk pati diçka të tillë. Edhe atëherë ka pasur ekrane, por më të vegjël. Ndërtimi i skenografisë ka qenë më në brendësi të sheshit, në drejtim me Bankën e Shqipërisë. Nuk ka non sens të mbulohet busti i heroit kombëtar që ka bërë historinë e këtij vendi. Ndoshta ajo pjesë e opinionit e ka parë nga një këndvështrim tjetër.
Pse ky reagim? A ka frymë të përçarjes fetare në Shqipëri?
Kjo nuk është një e rënë nga qielli dhe gjithsecili korr frytet e saj. Harmonia dhe toleranca, bashkëpunimi e bashkëvëllazërimi fetar e kombëtar duhet ushqyer çdo ditë. S’e përjashtoj mundësinë e një pjese, kushdo qofshin, brenda apo jashtë, janë përpjekur t’i fryjnë kësaj, të një ndasie të momentit, si p.sh myslimanët paskan këtë qëndrim ndaj figurës së heroit kombëtar. Përkundrazi, s’ka asnjë arsye, Skënderbeu dhe të gjithë heronjtë kombëtar, figurat historike, që kanë vënë sakrificat e tyre për ngritjen e themeleve të shtetit, ka myslimanë, të krishterë, mbeten figurat më madhështore që ka ky komb më shumë se çdo komb tjetër. Skënderbeu ka qenë një moment historik domethënës për kombin shqiptar. Ne myslimanët e kemi kusht të patjetërsueshëm të kujtdo kohe, besimi që mbi gjakun e vet ka vendosur përpara kombin, atdheun.
Dje përpara faljes së namazit keni marrë kërcënime. Nga kush vijnë?
Nuk do të isha në rrjedhën që mund të bënim furtunë në një gotë ujë, por ishin disa mesazhe të cilat kanë qenë të drejtpërdrejta, ekstremisht kërcënuese. Kam hedhur në rrjetet sociale urimin në orën 04:00 të mëngjesit dhe pas orës 09:00 të mëngjesit mesazhet kanë qenë kërcënuese. Personat me emra të rremë apo të qenë, janë të lehtë të verifikueshëm, nëse i drejtohemi institucioneve. Por të ushqyer nga ajo për të ndjellë frikë, pasiguri e për t’i fryrë ndasisë fetare, kanë vijuar me orë të tëra kërcënimet.
A keni bërë denoncim?
Ende nuk kam bërë denoncim. Kjo sepse nuk i shërben asgjëje. Nuk është e rëndomtë apo e rastësishme, sepse hera-herës në raste festash mund të hidhen shashka, kundërshtira apo komente, por kjo për fatin e keq ka marrë trajtën e një histerie. Kurrsesi, as në raport me figurën e heroit kombëtar dhe me asnjë figurë që ka ngritur kombin para vetes, myslimanët janë të parët që kanë detyrimin e lartësimit të përcjelljes në breza të këtyre figurave.
Kur pritet të përfundojë Xhamia e Namazgjasë? Do jetë gati për Bajramin e ardhshëm?
As për bajramin tjetër Xhamia e Namazgjasë nuk mund të përfundojë, nuk mund të jetë gati. Duhet më shumë se një vit. Pastaj, sipas kalendarit, kemi edhe një afrim të Bajramit për vitin e ardhshëm, në datën 12 ose 13 qershor, ndërsa Kurban Bajramin në datën 20 gusht. Xhamia nuk arrin dot të përfundojë, apo të dorëzohet në qershorin e vitit 2018. Pra, me 99% nuk është e mundur.
A mendoni se futja e fesë në shkolla do largonte dashakeqësitë festare?
Jemi të bindur dhe kemi shprehur dakordësinë tonë që njohuritë fetare, ato të domosdoshme, nuk ka asgjë negative që të përcillen në shkollat publike. Nuk pritet që të dalin priftërinjtë apo hoxhallarët e radhës. Shoqëria ka nevojë për njohjen e brendisë shpirtërore të qytetarëve. Kjo është aq e nevojshme sa në harmoni të plotë dhe brenda kornizave ligjore të një shteti laik. Kemi shembuj si Britaninë e Madhe, Austrinë etj.,