Me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku, ka përcjellë një mesazh urimi dhe reflektimi për të gjithë besimtarët vlonjatë dhe shqiptarë.

Hoxhllaku ka theksuar rëndësinë e këtij muaji të bekuar, duke e cilësuar atë si një periudhë të lehtësimit shpirtëror, begatisë dhe afrimit me Zotin. Sipas tij, Ramazani është muaji i solidaritetit me njëri-tjetrin, i sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Ai ka ftuar besimtarët që ta shfrytëzojnë këtë muaj për reflektim, përmirësim personal dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore.

“Me rastin e ardhjes së muajit të begatë të Ramazanit, uroj të gjithë besimtarët e Vlorës dhe më gjerë, të jetë një muaj i lehtë, i begatë dhe plot dashuri. Është muaji i solidaritetit, sakrificës, i kthimit te vetë njeriu për të edukuar egon dhe emocionet e frenuara. Është muaj për të treguar se kush jemi në të vërtetë, sa duhet ta kuptojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Agjërim të lehtë, të pranuar e të shpërblyer!”, tha Hoxhllaku.

Myftiu ka konfirmuar gjithashtu se gjatë këtij muaji, Xhamia e Plumbit do të qëndrojë e hapur për besimtarët për faljet e mbrëmjes. Megjithatë, ai ka theksuar se rikonstruksioni i saj është tashmë një domosdoshmëri, pasi janë tejkaluar të gjitha afatet e parashikuara. Hoxhllaku u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përshpejtojnë procedurat, duke nënvizuar se komuniteti besimtar ndihet i indinjuar nga zvarritja e situatës.

“Ne jemi shumë të indinjuar nga kjo situatë, sepse besimtarët, me të drejtën e tyre, na kanë kërkuar me këmbëngulje që të kemi xhaminë e hapur, një xhami historike që është unike në Shqipëri dhe jemi para faktit që prej dy vjetëve është e mbyllur. Kemi bërë të gjitha përpjekjet, por nuk mjaftojnë. Ne jemi në pritje”, tha myftiu.

Xhamia vijon të qëndrojë e mbyllur pas përmbytjeve të tetorit 2024, çka ka krijuar vështirësi për zhvillimin normal të aktiviteteve fetare.

Ndërkohë, një mesazh për muajin e Ramazanit ka përcjellë edhe imami i xhamisë, Hajredin Dizdari, i cili ka uruar besimtarët për një agjërim të pranuar, paqe, shëndet dhe harmoni në familjet e tyre.

“Muaji i Ramazanit është një mundësi për të gjithë ne që të afrohemi me Zotin. Është një shans, një ofertë prej krijuesit të gjithësisë që ne ta përmirësojmë veten tonë dhe të jemi njerëz më të mirë që muaji tjetër të na gjejë të përmirësuar. Është një mundësi e jashtëzakonshme për ne që të afrohemi me njëri-tjetrin dhe të jemi prej atyre njerëzve që falin dhe mëshirojnë të tjerët. Zot ju bekoftë, jua lehtësoftë dhe pranoftë këtë agjërim prej jush!”, uroi Dizdari.

Besimtarët myslimanë nisin kështu muajin e madhërishëm të Ramazanit prej datës 19 shkurt, duke hyrë në një periudhë të rëndësishme adhurimi, reflektimi dhe përkushtimi shpirtëror.


Lajmi kryesor:

Nis muaji i shenjtë i Ramazanit, simboli i sakrificës dhe pastrimit shpirtëror