Myslim Pashaj: Si u ​përlye
Sali Berisha në shitjen e detit

Myslim Pashaj: Si u ​përlye<br />Sali Berisha në shitjen e detit
“Koloneli i Detit” Myslim Pashaj, njeriu që denoncoi marrëveshjen për ndarjen e detit mes Tiranës dhe Athinës, ka komentuar për Shqiptarja.com deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u sugjeroi autoriteteve greke të çonin paktin detar në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Pashaj thekson se me mbrojtjen që po i bën marrëveshjes, Berisha po tregon para opinionit publik se sa thellë është përlyer në këtë çështje dhe se është autori kryesor i marrëveshjes së rrëzuar.

Sipas tij, litari i groposjes në detin e tradhtisë ka mbetur jashtë, ndaj Berisha po kërkon shtigje shpëtimi. Koloneli i Detit mendon se përpjeka për të futur në lojë palën e tretë, konkretisht Turqinë dhe sugjerimi për t’a çuar marrëveshjen në Arbitrazh, janë thjeshtë manovra për të shpëtuar.

Pashaj pohoi gjithashtu se shteti grek nuk ka pasur asnjë kundërshti teknike, por vetëm politike, për materialin oponent ligjor hartografik dhe argumentet e rrëzimit të marrëveshjes së detit. Duke iu referuar Reformës në Drejtësi, Pashaj shprehet se, nëse do të ketë një akt ndëshkues, Sali Berisha duhet të përballet me ligjin si autori kryesor i marrëveshjes antikombëtare.
 
Ish-kryeministri Sali Berisha, i ka sugjeruar Greqisë që ta çojë marrëveshjen e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në Arbitrazhin Ndërkombëtar, duke mbrojtur kësisoj paktin e vitit 2009. Cili është komenti juaj? 
Komenti im është komenti i një studiuesi dhe jo i një politikani. Dua të shprehem, se sa keq unë, i përjetoj gjërat në këtë Shqipërinë tonë. Shteti është i kapur prej vetvetes. Personazhet e lojës në trupin dhe shpirtin e tij, janë ata që themelet e shtetit demokratik, ia kanë vënë në një antikombtarizëm të pashoq, që është shoqëruar me një korrupsion fatal të këtij shteti që s’u bë kurrë shtet i së drejtës. Marrëveshja detare nuk mund të kish fat tjetër veçse të shfrytëzimit të saj në favor të mbajtjes së pushtetit politik, duke pasur fytyrën e kësaj mbrapshtie totale, siç po dëshmohet ditët e fundit nga Sali Berisha. Kjo duket tek loja që po ribën në skenë, në të njëjtën shtrat tragjikomik, cili po rrëfen në opinion se sa thellë është përlyer me mbrojtjen që po i a bën “marrëveshjes cung e krimit antikombëtar”. Personazhi tragjikomik, në këtë mbajtje fryme, në periudhën që po kalojmë, e sheh se litari i groposjes në detin e tradhtisë ka mbetur jashtë. Ndaj ai kërkon shteg shpëtimi. Mendja e tij e ligësisë djallëzore, aq e pamasë kërkon shtigje ligjorë dhe aspekte (gjasme) konsiprative, të shpikur, nga po ajo mendje Mefistofelike, për të shpëtuar. Ai parashtroi me shkumë në buzë e turfullim duke iu drejtuar shtetit Grek që ta çojë marrëveshjen në Arbitrazh. Nuk është halli i shpëtimit apo fitores së Greqisë, por është halli i Sali Berishës i cili që në krye të herës nuk ua la institucioneve, por e mori vetë në dorë për të treguar se është ai autori. Kam rastin që të ripohoj edhe një herë se Greqia nuk ka faj në veprën e kryer. Këtu duhet të kuptohemi: Të dy palët ishin në tavolinën e ndarjes së detit dhe pranimi i plotë i palës sonë është në dobi të Greqisë, e cila në përpjekjen diplomatike i realizoi qëllimet e saj. Shqipëria, me kryeministër Sali Berishën, la një dëshmi të jashtëzakonshme, e cila po thellohet e më tepër me fantazitë e tij të ndezura djallëzore. Ai përpiqet që të nxjerr sërish në lojë… prapaskena të përfytyruara të palës së Tretë të huaj (që me gjasa na qenka Turqia), të korrupsionit të lartë që është bërë gjatë dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të cilat nuk i përfshin dot një mendje normale. Sepse gjërat kanë patur një ecuri teknike e ligjore të kontrolluar në hapësirë dhe në kohë, shumë transparente dhe të ballafaquar deri në rrëzimin e paktit. Materiali oponent ligjor hartografik dhe argumentet e rrëzimit janë tanimë reale, të disponueshme për të cilat shteti grek nuk ka pasur asnjë kundërshti teknike, por vetëm ato politike. Institucionet e shtetit dështuan tërësisht dhe nuk e mbrojtën detin e tyre, sepse ishin të kapura. Ato që po fabrikon Sali Berisha janë vetëm manovra të shpëtimit të tij. Përpëlitjet fundore të tij që po i shohim kohët e fundit, janë tipik, sikur t’i kish qepur një regjisor në shfaqjen që po jepet.
 
A besoni se me zbatimin e reformës në drejtësi institucionet e reja hetimore do të ngrenë akuza penale për protagonistët e kësaj marrëveshje? 
Ju më pyesni për zbatimin e Reformës në Drejtësi…sepse kërkoni drejtësi edhe për rastin e hartimit të marrëveshjes… dhe autorëve të saj… Bukuri në pyetjen tuaj. Po kjo reformë që është duke ndodhur po plugohet në një shtet të kapur… Të një drejtësie të kapur… Ju e keni parë se ç’po ndodh me formacionet e mbrojtjes që po i bëhet kësaj gjendje apokaliptike. Ashtu siç mbron Sali Berisha veten, ashtu drejtësia po merr masat e saj që ta çojë reformën në kalendat Greke… Pra edhe për marrëveshjen detit. Që në fillimet e kësaj historie, gazetari Denis Minga pyeti në një panel debati para shtatë vjetëve nëse mund të ngrihet një akuzë penale për autorët për tradhti kombëtare. Jam përgjigjur se problemi është i mosnjohës teknik e ligjor… Nuk u nxitova që të pohoja dobinë e asaj akuze. Falë sogjetimit dhe vigjëlimit të mediumeve shqiptare, logjika dhe rrjedha e mëtutjeshme çoi gjer në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi 9:0. Pas kësaj, Sali Berisha nuk rri i qetë, ai ka kundërshtuar rrëzimin e paktit derisa sa zëri po i ngrihet sërish deri në marrëzi. E çon vizatimin e tij jo midis dy shteteve, por në atë rajonal, e më tej këtij deti…duke përfshirë shtete të tjerë. Ai iu drejtohet “parlamentarëve plehra” sepse noton në këtë trazim dramatik që ndodhet politika në Shqipëri. Kjo fatkeqësi ka lindur si një rast unik në Shqipëri, në një shtet të kapur që mezi heq këmbët zvarrë për në BE. Reforma në Drejtësi edhe mund të vonohet pak… Nëse ka një akt fillimor ndëshkues, autori kryesor i marrëveshjes antikombëtare detare ky Sali Berisha duhet të përballet me ligjin. Aty është mirë të thotë: “Unë jam Sali Berisha!”
 
Argumentet e qeverisë Berisha pro marrëveshjes detare
1.Kërkuesi nuk legjitimohet për të iniciuar një gjykim të kontrollit abstrakt të normës ligjore, për shkak se subjekte të tillë kanë detyrimin të argumentojnë lidhjen e çështjes me interesat e tyre, gjë të cilën kërkuesi nuk rezulton ta ketë bërë përmes kësaj kërkese. Kërkuesi nuk ka dhënë asnjë argument që provon interesin e prekur nga ligji objekt shqyrtimi. 

2.Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre dhe për këtë arsye faktet historike të paraqitura nga kërkuesi nuk janë të sakta.

3.Konsultimi publik nuk është standard kushtetues por lidhet me vullnetin politik, prandaj nuk mund të jetë shkak i tillë që të mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese. Ky pretendim mund të ngrihet në rrugën politike të shprehjes së mendimit, konkretisht gjatë procedurave parlamentare. Kërkuesi i ka të gjitha mundësitë që në rrugë parlamentare të realizojë procesin e konsultimit, i cili, sipas tij, ka munguar në lidhjen e kësaj marrëveshje. 
4.
Nuk qëndron pretendimi për mungesë informimi dhe transparence, pasi vetë kërkuesi nuk ka pranuar të marrë pjesë në punimet e parlamentit. Është kjo arsyeja që ai nuk ka pasur mundësi të njihet nga afër me dokumentacionin lidhur me përgatitjen, negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Përveç kësaj, kërkuesi nuk paraqet asnjë provë që të vërtetojë se i është mohuar dhënia e informacionit pas kërkesës së bërë zyrtarisht prej tij. 

5.Pretendimi për mungesën e hartave shoqëruese nuk është shkak për pavlefshmëri, pasi në periudhën e zhvillimit të teknologjisë dixhitale përcaktimi i koordinatave është më se i mjaftueshëm për të përmbushur funksionin e përcaktimit të kufirit.

6.Negocimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh, megjithëse interesi i palës shqiptare për përcaktimin e saktë të kufijve ka qenë i dokumentuar që prej 1993. Nga ana e qeverisë janë bërë të gjitha përpjekjet që bisedimet të bëhen të njohura për publikun që prej momentit që ka pasur interesim për këtë çështje.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë