MZHETTS nis reformën e derregullimit, rishikim lejeve dhe licencave

/ATSH/- Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka nisur punën për reformën e derregullimit si një nismë për të përmirësuar klimën e biznesit, pjesë e të cilit do të jetë rishikimi i autorizimeve dhe lejeve e licencave. Pas konsultimeve me grupet e interesit, ky projektligj do të diskutohet dhe miratohet në Këshillin e Ministrave.
Ministri Ahmetaj në mbledhjen e parë të Këshillit të Investimeve u shpreh se, ka mbi 136 autorizime që jepen sot, një pjesë e mirë e të cilave do të rishikohen në funksion të lehtësimit së të bërit biznes, kryesisht autorizime, të cilat përbëjnë mbirregullim të sektorëve, derivojnë nga ligji sektorial dhe atyre që nuk trajtohen në mbështetje të akteve nënligjore.
Faza e dytë e reformës do të trajtojë lejet dhe licencat, më qëllim shfuqizimin e atyre që do të konsiderohen të panevojshme. Në funksion të kësaj reforme është edhe projekti i ofrimit të një dritare unike për regjistrimin dhe licencimin e bizneseve përmes bashkimit të QKR dhe QKL.
"Ne po bëjmë një analizë të thellë për inventarizimin e të gjitha shërbimeve publike që ofrohen sot nga administrata dhe shumë shpejt do të realizojmë edhe dixhitalizimin e këtij inventari. Qëllimi final është reduktimi i kohës, afateve, procedurave dhe kostove për biznesin, krijimin e një klime sa më të favorshme dhe mbështetëse për sipërmarrjen dhe investitorët", u shpreh Ahmetaj.
Sipas tij, reformat e rëndësishme strukturore që ka ndërmarrë qeveria, kanë bërë që ekonomia shqiptare të jetë në një fazë të thellë transformimi dhe me oportunitete të mëdha.
"Ekonomia shqiptare ka marrë tashmë kthesën pozitive dhe megjithëse në "background" ka kriza kaq të papritura dhe të vështira, siç janë ato të situatës në Greqi, me kënaqësi shohim që dhe në muajt e fundit konsumi ka rritje të konsiderueshme prej 4.7% dhe trendin e ka shumë pozitiv. Vetëm vende të reja pune janë krijuar 106.121 që nga momenti i fillimit të qeverisjes së qeverisë Rama", tha ministri Ahmetaj.
Ai e konsideron "rekord investimesh të huaja në tremujorin e parë" shumën prej rreth 258 milionë euro, ku sfida për të rritur investimet e huaja është e madhe dhe të gjithë këto instrumente i shërbejnë këtij qëllimi.
Lidhur me sfidën për kreditimin e ekonomisë, Ahmetaj shprehet se, ka ta paktën 3 vite që kreditimi ka pasur një rritje shumë modeste dhe të pamjaftueshme, ndaj dhe puna me strategjinë e kredive me probleme, do ta lehtësojë dhe promovojë rritjen e kreditimit. "Ne jemi të ndërgjegjshëm që sektori privat kontribuon me 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe krijon 82% të vendeve të punës", tha Ahmetaj duke iu referuar Raportit të Progresit të Bashkimit Europian të fundit të vitit 2014.
Ministri Ahmetaj u shpreh optimist se me Këshillin e Investimeve synohet institucionalizimi i dialogut konstruktiv dhe transparent për përmirësimin e klimës së investimeve, rritjen e nivelit të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe krijimin e vendeve të punës.
MZHETTS po bashkëpunon me grupin e Bankës Botërore dhe IFC për përmirësimin e klimës së biznesit. "Për herë të parë në këto 20 vite, Banka Botërore do të ketë një projekt me qeverinë shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit. Për herë të parë do të kushtëzohet një mbështetje buxhetore me një sërë reformash të cilat shkojnë në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe ky është një lajm jashtëzakonisht shumë i mirë", shprehet Ahmetaj.
Këshilli i Investimeve drejtohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, në bazë të VKM "Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit të Investimeve", datë 8 prill 2015, që ka në përbërje përfaqësues nga qeveria, partnerë ndërkombëtarë dhe komuniteti i biznesit.
Pjesë e Këshillit janë ministrat Bledi Çuçi, Ermonela Felaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, drejtorët e Tatimeve dhe Doganave, Ambasadorja e Delegacionit të BE, përfaqësia e Bankës Botërore dhe IFC, BERZH, përfaqësuesit e biznesit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Britanike e Tregtisë, Dhoma Italiane e Tregtisë, Biznes Albania etj. Këshilli funksionin si një organ konsultues për sugjerimin, diskutimin dhe inicimin e nismave dhe reformave në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve dhe biznesit në vend.
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Jam Pjerin Ndreu’, 3 mashtruesit i marrin 15 mijë euro biznesmenit Ylli Ujka! 2 në pranga, 1 në kërkim (EMRAT)