TIRANE- Gjyqtarja Marinela Osmani, ka mbyllur në burg kryebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu. Ky i fundit pasi është njohur me vendimin, është transferuar në drejtim të burgut 302, ku teksa linte ambjentet e godinës së gjykatës, ka përshëndetur me të dy gishtat lart, sipantizantët e tij, që ndodheshin jashtë rrethimit të gjykatës. Në këto moment brohoritje të forta janë dëgjuar pro Xhelal Mziut dhe kundër qeverisë aktuale, ndërkohë që pas largimit të furgonit të policisë situata është qetësuar gradualisht. Në sallën e gjyqit janë lejuar të hyjnë vetëm prokuroria Antoneta Sevdari, avokati Genc Gjokutaj si dhe i ndaluari Xhelal Mziu, ndërkohë mediat dhe qytetarët nuk janë lejuar për shkaqe sigurie.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, prokuroria Antoneta Sevdari i tha gjykatës se i arrestuari dyshohet për veprime të paligjshme në tre raste, që bëjnë fjalë për pabarazi në tendera në rrugën “Zgjimi”, vendosje të taksave dhe gjobave ndaj dy kompanive ndërtimore dhe hapjen në mënyrë të paligjshme të një kanali në mes të fushës së futbollit, duke dëmtuar qëllimisht këtë të fundit. Shkak i dëmtimit të fushës kanë qënë konfliktet e mëparshme me aksionerët e klubit të futbollit të Kamzës.

“Jam i pafajshëm”
Teksa ka dhënë gjeneralitet para gjyqtares Osmani, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu ka deklaruar nga kafazi i hekurt se ishte i pafajshëm dhe se s’kishte kryer asnjë krim. Fill pas kësaj, fjalën e ka marrë avokati i tij mbrojtës i cili ka deklaruar se çështja penale ndaj kryebashkiakut është ngritur, duke mos pasur asnjë akuzë konkrete. Avokati Gjokutaj, shtoi se në të gjitha rastet që përmendi prokuroria nuk është konsumuar asnjë vepër penale pasi çështja është administrative, dhe për pasojë i arrestuari duhet të lirohet menjëherë. Mirëpo kjo kërkesë është rrëzuar nga ana e gjykatës së Tiranës, e cila pas shqyrtimit juridik të rastit, e ka cilësuar si të ligjshëm arrestimin e Xhelal Mziun dhe ka caktuar masën e “arrestit në burg” për kryebashkiakun. Mësohet se menjëherë pas zbardhjes së vendimit, mbrojtja do paraqesë në gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e Mziut.

Simpatizantët
Mbi 100 persona punonjës të bashkisë Kamëz dhe simpatizantë të kryebashkiakut Xhelal Mziu, kanë ndjekur nga jashtë mureve të gjykatës së Tiranës, seancën për caktimin e masës së sisgurisë ndaj Mziut. Pjesa më e madhe e tyre kanë filluar të brohorasin në momentin kur Mziu ka hyrë dhe ka dalë në ambjentet e gjykatës. Kryebashkiaku i ka përshëndetur me dy gishtat lart, ndërkohë që disa prej simpatizantëve i janë afruar furgonit të policisë, duke ngritur gishtat lart së bashku me Mziun.

Mziut, ju kap vula e KZAZ nr.27 Kamëz
Kontrolli policor në banesën e kryebashkiakut Xhelal Mziu, ka zbuluar prova të tjera, që mund ta inkriminojnë në një vepër tjetër penale përfaqësuesin e Partisë Demokratike në Kamëz. Agjentët e sektorit antikorrupsion në Drejtorinë e Policisë Tiranë, gjatë kryerjes së kontrollit të banesës me qëllim gjetjen të provave që mund ti shërbenin hetimit të prokurorisë, kanë zbuluar një tjetër prove, por  që lidhet me procesit e numërit të votave në KZAZ nr.27 në Kamëz. Sipas policisë së Tiranës dhe njësisë hetimore Task-Forcë në prokurori bëhet fjalë për një vulë të kësaj KZAZ që është gjetur në njërin nga komodinat, që janë kontrolluar në banesën e kryebashkiakut Mziu. Për këtë rast prokuroria ka urdhëruar ekspertimin e vulës, me qëllim mësimin nëse ajo është fallso ose jo.

Shkrimi u publikua sot (24.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)