Në Prespën turistike 7
fshatra marrin ujë në puse

Në Prespën turistike 7<br />fshatra marrin ujë në puse
KORCE- Vetëm kur e viziton Prespën, e ndien thellë mahnitjen nga peizazhet e shumta të saj, liqenet, malet që e rrethojnë zonën e që i japin asaj një pamje të rrallë. Në 9 fshatra, të vendosur në gjoksin e maleve, që përbëjnë komunën e Liqenasit: Kallamas, Goricë e Madhe, Goricë e Vogël, Gollomboç, Diellas, Liqenas, Lajthizë, Zaroshkë e Cerje jetojnë afërsisht 4.500 banorë. Malet e lartë të bleruar, që e kalojnë lartësinë 2.000 m, lugina dhe shpate të vendosur mbi kaltërsinë e liqeneve me brigje të banuar, krijojnë atë konfiguracion të papërsëritshëm.
liqeni prespes

Kështu, i mbushur me këto kontraste bukurish, me një kulturë të lashtë, me ushqim të mirë dhe një mikpritje – dhe, mbi të gjitha, një shpirt njerëzor - ndjehesh komod në Prespë. Këto kushte të favorshme klimatike, ujrat e pastra të burimeve, përzëmërsia e banorve janë joshëse dhe të krijojnë relaks në çdo stinë të vitit. Por bukuria e vërtetë e Prespës janë dy liqenet e tij, katër ishujt në dy liqenet e Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël.
 
LEGJENDA E LIQENEVE TE PRESPES
Një peshkatar i moshuar pranë liqenit të Prespës na tregon se Prespa ka qënë një qytet shumë i madh. Një ditë, djali i mbretit që drejtonte qytetin kishte dalë nëpër pyll dhe aty rastësisht takon një zanë pylli shumë të bukur, të quajtur Nereida. Djali i mbretit mahnitet nga bukuria e saj dhe i kërkon dorën për t`u martuar me të. Por Nereida refuzon, duke i thënë djalit të mbretit se, nëse ata martoheshin, do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe. Djali i mbretit, i verbuar nga dashuria, e mori për nuse zanën e bukur Nereida, por shumë shpejt pas martesës u hap qielli dhe ra një shi shumë i madh dhe i rrëmbyer, që mbyti të gjithë qytetin, duke krijuar një liqen të madh aty, ku ndodhet sot liqeni i Prespës dhe lulet që ndodhen sipër sipërfaqes së liqenit, sipas legjendës, janë shpirtrat e njerzëve të mbytur.
liqeni prespes 1
(Foto: Pyje të masakruara në Parkun e Prespës)

Por kjo është vetëm legjenda që qarkullon tek të moshuarit.

Në lartësinë mbi 850 m mbi nivelin e detit gjenden dy liqene të ndarë nga një brez i ngushtë toke. Më i madhi, i quajtur Prespa e Madhe, i cili ka një sipërfaqe prej 285 kilometrash katrorë dhe thellësi maksimale 54 m, është i ndarë nga tre shtete, ku pjesën më të madhe e ka Maqedonia, ndërsa Shqipëria e Greqia kanë nga 40 km2 secila. Liqeni tjetër, ai i Prespës së Vogël, i cili ka një sipërfaqe prej 47 km2 dhe një thellësi prej vetëm 12 metrash, i takon pothuajse i gjithi Greqisë, me përjashtim të një pjese të vogël që ka Shqipëria.
 
PARKU I PRESPES I MASAKRUAR, 7 FSHATRA PA UJE
Më 2 shkurt të vitit 2000 kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë e kanë shpallur parkun e Prespës si zona e parë e mbrojtur në Ballkan. Por, kur kalon nëpër parkun e madh të Prespës shikon një masakër të vërtetë. Drurë të parkut të masakruara në mënyrën më të shëmtuar. Parku shfrytëzohet nga banorët për dru zjarri për ngrohje.

Kryetari i kësaj komune Edmond Themelko për gazetën Shqiptarja.com  thotë se banorët e kësaj zone merren me bujqësi, blegtori dhe me peshkim. Nga zona e Prespës ka filluar një emigrim pas viteve të trazicionit, duke e ulur ndjeshëm popullsinë e kësaj zone. Tashmë në peshkim marrin pjesë shumë persona, të cilët duan të nxjerrin të ardhura për mbijetesë, por shpesh prodhimi dëmtohet nga mungesa e përpunimit, sepse tregun deri në Korçë e kanë larg dhe mundësi përpunimi këtu tek ata ende nuk ekzistojnë. Një fakt i hidhur ky për Prespën, thekson kryetari, sipas të cilit ka ende banorë që, nëpër shtëpitë e tyre, mbajnë bagëti, duke e ndotur ambientin përreth. Në Prespë na thanë që janë bërë rreth 30 shtëpi model, që mund të presin turistë, por kjo shifër është shumë e vogël krahasuar me mundësitë reale që ka kjo zone, e cila, me bukuritë e pafund, ka dhe liqenin në gji; ka mundësi që të presë mijëra e mijëra pushues çdo verë.
liqeni prespes 2

Janë plot shtatë fshatra buzë liqenit, që nuk kanë ujë dhe e  mbushin atë nëpër puse, të hapur nga vetë banorët. Por telashet për këtë zonë nuk kanë të sosur. Prej disa ditësh, një re e madhe karkalecësh, të ardhur nga Maqedonia, po u dëmton krejt prodhimet e tyre bujqësore!

Në rast se do të përshkoni zonën e Prespës, mes rrugëve të ngushta, që ju çojnë pranë drurëve të mollëve përreth liqenit, tek strofullat e zogjve e më pas, lart në Galiçicë, ku rruga kalon nëpër livadhet e bukura, në majë të Malit të Thatë do të shikoni njëherazi të dy liqenet, të Ohrit dhe të Prespës. Kryetari i komunës së Liqenasit (tani quhet Pustec, pas kërkesave të banorëve të kombësis maqedone) Edmond Themelko thekson se “ka ardhur koha që edhe kjo zonë të ketë turizëm bashkëkohor. Zona turistike përreth liqenit të Prespës të presë vizitorë, t’u tregojë atyre mitet dhe legjendat e historitë e saj të lashta të civilizimit, t’u tregojë atyre që ka qënë qendra e mbretërisë së Samuilit, degëzimet e rrugës Egnatia dhe kryqëzimet, si dhe kullat mesjetare përgjatë rrugës, kishat e shumta të shekullit të XII dhe XIV, ku ndodhen themelet e qendrave të banuara nën ujrat e këtyre liqeneve”.

Nuk mund të largohesh nga Prespa pa shijuar tavën e krapit të shijshëm apo peshqit e vegjël, të cilët vendasit i quajnë “cironja“. Këtu nuk gjen shtëpi pa fuçinë e verës artizanale apo kazanet artizanalë të rakisë, të cilën vendasit e ruajnë për miqtë.

Kjo është Prespa, mes bukurive të pafund, një pritjejë bujare dhe një distance që ajo ka ende me mundësitë reale ndaj turizmit bashkëkohor.
 
 Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 09.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë