Administrata publike do të reformohet. Qeveria është duke përgatitur disa ligje si Kodi i Procedurës Administrative, si edhe akte nënligjore për ligjin e organizimit të administratës shtetërore. Në udhërrëfyesin e qeverisë për miratimin e pesë prioriteteve për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, parashikohet se objektivi kryesorë do të ketë zbatimi i ligjit “Për nëpunësin civil”, si edhe funksionimi i shkollës së Administratës Publike.

“Masa do të merren për të përmirësuar procedurën e rekrutimit, emërimit dhe ngritjes në detyrë në shërbimin civil, si edhe për të shtrirë më tej sistemin HRMIS (sistemi informatik për menaxhimin e burimeve njerëzore). Në fokusin e kësaj reforme është edhe funksionimi i duhur i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), pajisja e saj me mjetet e nevojshme dhe burimet njerëzore, si edhe planifikimi i përshtatshëm.

Një tjetër objektiv i reformës është forcimi i kapaciteteve administrative dhe koordinimit të Departamentit të Administratës Publike”,- thuhet në udhërrëfyes.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)