TIRANE- “Feja nuk është për të luftuar, por për të ruajtur jetën”. Këtë e ka shprehur Elvis Naçi drejtori i Thirrjes në Islam në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i ftuar në emisionin “Tête à tête” në A1 Report”. Duke u ndalur tek rastet e raportuara kohët e fundit, ku disa të rinj shqiptarë kanë humbur jetën duke luftuar në Siri, Naçi tha se shteti duhet të identifikojë personat që kanë shkuar në këtë vend, pasi ngjarje të tilla cënojnë vendin tonë dhe rrugën drejt integrimit. Naçi shprehet se këta persona nuk mund të thuhet se i përkasin Komunitetit Mysliman, ndërsa nuk mohoi faktin se mund të flitet edhe për abuzim fetar apo edhe politik.
 
“Feja nuk është për të luftuar, por për të ruajtur jetën. Nuk e di cilët janë këta persona, dhe nuk di të them nëse janë pjesë e Komunitetit Mysliman, apo janë sekte. Në këtë rast bëhet fjalë për abuzim fetar dhe politik lidhur me këtë çështje. Ne si Komunitet Mysliman mundohemi, dhe do mundohemi edhe më shumë përballë këtij realiteti të ri. Vendi më tolerant dhe më i hapur janë xhamitë, pasi mund të hyjë kushdo. Por nuk është abusive të thuash se nga tolerance e madhe fillojnë dhe abuzimet. Aty mund të hyjë edhe ai që nuk është mysliman, dhe mund të bëjë veprime që nuk janë nga një mysliman i vërtetë, duke pasur interesa të tjera. Unë nuk i njoh ata që mund të jenë në Siri, por më vjen keq që ata mund të kenë humbur jetën aty, por kjo na cënon edhe ne si shtet. Kam përshtypjen se shteti i ka të identifikuar këta persona që kanë shkuar në Siri”, tha Naçi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)