KF Tirana dhe Bylisi luajnë të shtunën në orën 15:00 në 'Selman Stërmasi' për raundin e 28-të të Superligës. Sfida mes tyre është direkte për t'i shpëtuar zonës së mbijetesës. Bylisi me 27 pikë mban vendin e shtatë në renditje, ndërsa Tirana me 21 pikë mbetet në vendin e fundit.
Për mediet këtë sfidë e komentoi edhe trajneri i KF Tiranës, Orges Shehi. Ai tha se mendja duhet të jetë vetëm në fushë për të marrë tri pikët që mungojnë që prej 1 shkurtit (fitorja kundër Egnatias). Që prej kësaj kohe bardheblutë kanë një barazim dhe katër humbje radhazi.
I pyetur për largimin e sulmuesit Emmanuel Ernest vetëm tre muaj pas rikthimit në ekip dhe një sherri të mundshëm brenda skuadrës, Shehi tregoi se rëndësi ka stema dhe jo individi.
"Fillon faza e fundit e sezonit. Pozicioni ku jemi, plus rivali me të cilën luajmë, e dimë rëndësinë e ndeshjes së nesërme. Duhet t'i marrim ndeshjet një nga një, nesër është vendimtare për ne dhe shpresoj të arrijmë ta interpretojmë me kokën e ftohtë dhe me zemër e muskuj zjarr. Po them me kokën e ftohtë për shkak të presionit, nesër do të jetë një ndeshje që do të flasë për ne. Java ka qenë pak më e gjatë se javët e tjera, kemi pasur kohë të bisedojmë me lojtarët, jemi të ndërgjegjshëm që nesër është shumë e rëndësishme për nesër.
Largimi i Ernest? Nuk e di kur ka ardhur, është ndeshje e rëndësishme nesër dhe nuk duhet të fokusohemi te individët, por te ndeshja. Nuk është më pjesë e skuadrës tonë. Fokusi duhet të jetë te ndeshja, por edhe individët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për situatën në të cilën po kalon Tirana dhe duhet të vemë stemën përpara dhe jo individin. Të gjithë e dimë historinë dhe Tirana ka pasur shumë trajnerë më të mirë se mua dhe shumë lojtarë më të mirë në përbërje, interesat personale janë zero në krahasim me interesin e klubit.
Bylisi? Situata në ndeshje mund të ndryshojnë në varësi të rezultatit, në varësi të kundërshtarit, ne do të jemi të kujdesshëm, do të jemi me fokusin për të fituar ndeshjen dhe të mos dalim jashtë logjikës. Nesër grupi është i plotë, kanë pasur ditë të motivuara”, tha Shehi.
Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 28-të:
E premte, 13 mars 2026
19:00 Egnatia - Vllaznia
E shtunë, 14 mars 2026
15:00 KF Tirana - Bylis
18:00 Flamurtari - AF Elbasani
E diel, 15 mars 2026
15:00 Vora - Partizani
18:00 Dinamo - Teuta
Renditja:
Komente











