Një djalë 17-vjeçar është arrestuar në Tiranë, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se i morën 500 euro një 38-vjeçareje duke e kërcënuar me publikimin e fotove dhe videove intime në rrjetet sociale.

Operacioni i koduar “Privacy” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, menjëherë pas kallëzimit të bërë nga gruaja në fjalë. Sipas Policisë, dy të rinjtë e kishin kanosur 38-vjeçaren që t’u jepte 500 euro, në mënyrë që materialet intime të mos publikoheshin online.

Si rezultat i operacionit, u vu në pranga 17-vjeçari, ndërsa u shpall në kërkim një 21 vjeçar me inicialet E. D, i cili dyshohet të jetë gjithashtu autor i disa vjedhjeve në subjekte të ndryshme në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 eurot që i ishin marrë 38-vjeçares, si edhe 2 telefona celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i plotë i policisë 

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Privacy”.  I morën para një shtetaseje, që të mos i publikonin foto dhe video intime, vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.   Sekuestrohen 500 euro dhe 2 celularë.   Menjëherë pas kallëzimit nga një 38-vjeçare, se dy shtetas e kishin kanosur për t’iu dhënë 500 euro, që të mos i publikonin në rrjete sociale, foto dhe video intime të saj, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar  “Privacy”, si rezultat i të cilit:   

-u vu në pranga një 17-vjeçar dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi E. D., 21 vjeç.   Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, i cili nga hetimet dyshohet si autor i vjedhjeve në disa subjekte në Tiranë.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave që i është marrë 38-vjeçares (500 euro) dhe 2 celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë