Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Vatikan, ku do të pritet në takim nga Papa Leone XIV. Përveç delegacionit, Rama është gjithashtu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Kreu i qeverisë vizitoi bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania, ku bëri edhe lutjen e tij.

"Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit.", thuhej ndër të tjera në lutjen e kryeministrit Rama.

Lutja e Kryeministrit Edi Rama në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania

O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut!

Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar.

Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit.

O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!

Në nisje të vizitës së tij, Rama ka vizituar bazilikën e famshme të Genazzano, ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467.

Po ashtu, në vizitën zyrtare në Vatikan, kryeministri Rama do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

Më pas Rama do të zhvillojë një takim me Papa Leonen në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik. E radhës në agjendë, është vizita në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:52
Dita e dytë e vizitës në Vatikan, kryeministri Rama mbrërrin në Pallatin Apostolik (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama po vijon vizitën e tij zyrtare në Vatikan.

Paraditen e kësaj të enjteje, Rama mbërriti në Pallatin Apostolik të Vatikanit.

Kreu i qeverisë shqiptare u prit nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.