Duke folur për sfidat që ka përpara drejtësia shqiptare, ministri nënvizoi luftën kundër korrupsionit në gjyqësor si më të rëndësishmen, megjithatë ai tha se kjo sfidë ka bërë progres të kufizuar.
Fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço
“Në një vend ku nuk ka drejtësi nuk ka as sundim të ligjit. Të gjithë jemi dëshmitarë të një sistemi drejtësie të brishtë dhe të një klime mosbesimi nga ana e qytetarëve. Është e rëndësishme që kjo situatë të pranohet si realitet që duhet ndryshuar. Për t’i dhënë dimension të ri më të plotë u miratua paketa anti-korrupsion. Lufta kundër korrupsionit në gjyqësor është një nga çështjet prioritare të sistemit të drejtësisë, megjithatë ajo ka bërë progres të kufizuar.” u shpreh Naço.
Ministri Naço përmendi edhe një sërrë reformash në drejtësi, që do të bëjnë të mundur sipas tij të ndryshojnë realitetin e sistemit të drejtësisë.
“Për të ndryshuar këtë situatë, dhe për të përmirësuar sistemin e drejtësisë, nevojiten një sërë reformash si reformimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Për ne prioritare është refora në KLD. Kjo do mundësojë shmangien e mbivendosjes së dy institucioneve, Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së. Reformimin e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, ku synohet forcimi i këtij organi që sot ka funksion vetëm konsultativ. Jam i bindur se me reformat e ndërmarra do ndryshojmë klimën e mosbesimit në sistemin e drejtësisë.” tha ministri.
Në fjalën e tij ministri Nasip Naço gjithashtu listoi edhe një sërë masash të marra nga dikasteri që ai drejton të cilat i cilësoi si një histori suksesi. Ndër ta ai përmendi shërbimin e provës si dhe regjistrimin audio e video të seancave gjyqësore.
“Ministria ka pasur rastin të prezantojë një sërë reformash si krijimi i Gjykatës Administrative. Sistemi i regjistrimit audio dhe video të çështjeve është standardi më modern, pasi rrit transparencën dhe besueshmërinë e qytetarit. Sistemi i menaxhimit të ccëshjteve bën që gjyqtarët të zgjidhen me short, një tjetër aspekt që ndikon në rritjen e besueshmërisë. Ne vazhdojmë ta konsiderojmë si mundësi suksesi shërbimin e provës. Investimii bërë përmes projektit të binjakëzimit me Britaninë e Madhe, ka qenë tregues i rëndësisë së këtij projekti, madje këtë vit kemi shtuar edhe 30 persona të tjerë. U krijua paketa anti-korrupsion.” tha Naço
LLALLA: SYNIMI, FORCIMI I SUNDIMIT TE LIGJIT
Ndërkohë nga ana tjetër Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, në fjalën e tij tha se ka ende shumë punë për t’u bërë për forcimin e sistemit gjyqësor, ku më të rëndësishmet ai cilësoi ndryshimin e mentalitetit dhe të integritetit profesional të personave në postet publike.
“Ajo që jemi dakord të gjithë është se kemi shumë punë për të forcuar sundimin e ligjit në vend, duke filluar së pari me ndryshimin e mentalitetit, si dhe me forcimin e integritetit profesional të personave në postet publike. Shqipëria është një demokraci e re dhe natyrisht problemet kanë ekzistuar përfshirë edhe prokurorinë, por ne synojmë të forcojmë shtetin ligjor.” tha Llalla
DEDJA: PRIMARE, PAVARESIA E GJYQESORIT
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili tha se pavarësia e gjyqësorit është një ndër elementët më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë. Ai shtoi se reformat në gjyqësor duhen mbështetur dhe inkurajuar.
“Gjykata Kushtetuese është promotore e promovimit të drejtësisë. Duke qenë se pritshmëritë e qytetarit janë të larta ndaj organeve dhe kërkesa e llogaridhënies sa të natyrës institucionale është e lartë dhe e vazhdueshme në fakt, pavarësia e gjyqësorit është jo vetëm për gjyqtarin në vetvete, por për individin. Në këtë kuptim të gjitha reformat gjyqësore dhe kushtetuese duhen inkurajuar dhe mbështetur. Element i rëndësishëm është dhe transparenca dhe dhënia e drejtësisë, jo vetëm të bëhet drejtësi, por dhe të shihet sesi jepet drejtësi. Edhe gjyqtarët janë pjesë e një realiteti të caktuar por ata betohen se doi të respektojnë ligjet dhe kushtetutën e një vendi. Gjyqtarët para se të marrin detyrën betohen se do zbatojnë me korrektesë Kushtetutën e vendit ndaj ata duhet ti qëndrojnë besnike drejtimit të vendit. Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar ndaj të gjykojmë brenda një afati sa më të shkurtër dhe të besueshëm". tha Dedja
ZAGANJORI: DITE REFLEKTIMI, VEMENDJE PROGRESRAPORTIT
Ndërsa kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, e cilësoi ditën e sotme si një ditë reflektimi, ndërsa tha se duhet të mbështetemi në progresraport për të evidentuar sfidat që ka sistemi i drejtësisë.
““Ku jemi ne sot me cështjet e drejtësisë? Është rasti për të reflektuar se ku jemi ne dhe sa i përgjigjemni kohës. Referimi më i mirë është progres raporti, ku evidentohen probleme si efektiviteti i drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe këto detyra nuk janë një qëllim në vetvete, por synojnë forcimin e së drejtës në Shqipëri, të drejtat e individit synojnë mbrojtjen e jetës. Ka ardhur koha të promovojmë vlerat ndërsa angazhohemi se jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin.” tha Zaganjori
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)