Pas 17 ditësh grevë punonjësit e “ Bankers Petroleum” vendosën të ndërpresin protestën e tyre. Gjatë kësaj periudhe 10 anëtarë të këshillit sindikal u ngujuan në grevë urie pa afat në zyrat e sindikatës të sektorit hidrokarbur në Marinzë ku gjendja e tyre përkeqësohej nga dita në ditë deri sa mjekët iu sugjeruan daljen nga greva ndërsa dhjetëra punonjës të tjerë iu bashkuan grevës me duke bojkotuar punën.

Teksa punonjësit qëndronin të palëkundur në kauzën e tyre, rritje page, trajtim i barabartë dhe përmirësim të kushteve të punës, kompania vazhdonte punën normalisht në fushën naftëmbajtëse nëpërmjet nënkontraktorëve. Për ditë me radhë punonjësit kërkuan mbështetjen e institucioneve shtetërore ndërsa heshtjen e shtetit shqiptar e konsideruan papërgjegjshmëri.

Gjatë dy ditëve të fundit të grevës, protesta u zhvendos përballë zyrave të Bankers Petroleum në Fier, ku iu bë thirrje kompanisë të reagojë në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete.

Gjatë ditës së djeshme një përfaqësi e grevistëve zhvilluan një takim me Ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ku u ngritën të gjitha shqetësimet e punonjësve ndërsa ministrja Ibrahimaj u zotua se do të trajtojë me prioritet të gjitha kërkesat e naftëtarëve dhe do të luajë rolin e ndërmjetësuesit për gjetjen e një marrëveshjeje midis palëve. Ndërkohë protesta e naftëtarëve do të vijojë në datën 5 nëntor para zyrave të kompanisë në Fier.