Nano e Blushi së shpejti parti të
re me të pakënaqurit e Ramës?

Nano e Blushi së shpejti parti të<br />re me të pakënaqurit e Ramës?
TIRANE- Fatos Nano e Ben Blushi po përgatiten që të themelojnë një parti të re. Ky lajm bëhet me dije për “Shqiptarja.com” nga burime pranë nismëtarëve që po merren me krijimin e kësaj partie të re.

Sipas të njëjtave burime, edhe pse grupi organizator do të fillojë së shpejti punën, partia e re do të krijohet pas përfundimit të zgjedhjeve vendore. Ish lideri historik i Partisë Socialiste ka kohë që kërkon të rikthehet në politikë, por këtë herë duket se e ka më seriozisht.

Nano lobuar fort duke afruar pranë vetes disa figura të rëndësishme aktuale të PS si Ben Blushi, por edhe nga ato me peshë në historinë e socialistëve si ish-Presidenti Rexhep Mejdani apo dhe Arben Malaj disa herë ministër dhe disa figura të tjera, që kanë staturë të rëndësishme në zona lokale. Për sa i përket emrit të partisë së re, burimet thanë se kjo është lënë për një moment të dytë, pasi tani po merren me organizimin e saj.

Te pakenaqurit nga Rama
Nga sa mësohet Fatos Nano e stafi i tij kanë kohë që po punojnë për të rekrutuar sa më shumë figura si në rang kombëtar ashtu edhe në atë lokal. Baza ku ata janë mbështetur janë të pakënaqurit nga Edi Rama. Kryeministri e njëkohësisht edhe kryetari aktual i PS prej kohësh ka nisur një rinovim të partisë.

Kjo u pa qartë në listën e deputetëve që kandiduan në zgjedhjet e 2013-ës, por edhe më shumë pas fitores së bujshme në 23 qershor, ku “Garda e vjetër” u la jashtë formacionit qeverisës. Këta të pakënaqur deri më tani kanë qëndruar nën hijen e Ramës, duke shpresuar në një riaktivizim të tyre nga kryetari, por qëndrimi i liderit të PS në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore, ku në bashkitë kryesore vendosi veton, ua bëri të qartë se hapësirat për ta janë zvogëluar.

Ben Blushi
Ben Blushi ka që prej humbjes së zgjedhjeve në 2009, çka vazhdoi edhe pas ardhjes në pushtet të socialistëve në 2013, që është në një përplasje të shpeshtë me Ramën, dhe herë pas here nuk mungojnë kritikat publike të tij për kryetarin.

Edhe pse Blushi kur ka pasur konfliket me Ramën ka deklaruar se ai nuk largohet nga PS, duket se përplasja e fundit për përzgjedhjen e kandidatit për bashkinë e Elbasanit të aleancës qeverisëse “e ka mbushur kupën”. Blushi si deputet që kryeson listën e Elbasanit ka qenë kundër rikandidimit të Qazim Sejdinit, ndërsa Rama e rivendosi në garë për bashkinë e këtij qyteti. Kjo lënie në hije nga Rama ka bërë që Blushi të afrohet me Nanon për lëvizjen e re politike.

Figura lokale
Nga sa mësohet Nano veç figurave të rëndësishme në rang kombëtar si Ben Blushi, Rexhep Mejdani e Arben Malaj ka siguruar mbështetjen e një numri të konsiderueshëm të figurave me peshë në rang lokal në disa qytete. Këta janë disa ish-krerë të PS nëpër rrethe që kanë humbur postet e tyre ose ish-krerë të orgnaneve vendore që nuk janë rikandiduar nga Rama.

Sipas burimeve të sipërpërmendura, ndryshe nga herët e mëparshme kur Fatos Nano ka kërkuar të rikthehet në politikë, partia e re nuk ka për të qenë një “fishekzjarre”. Synimi i saj do jetë që në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në 2017 të fitojë disa deputetë, duke u kthyer në një faktor të fuqishëm politik.

Tentativa e tretë e ish-liderit të PS për t’u rikthyer

 “Lëvizja Nano” është aktivizuar për herë të parë në 2012 por pa asnjë ndikim 
 Në fakt nuk është hera e parë që ish-lideri historic i Partisë Socialiste tenton të rikthehet në politikë me një formacion të ri politik të drejtuar nga ai. Fatos Nano pas një kohe të gjatë heshtje u riaktivizua fuqishëm në vitin 2012 në periudhën që duhej zgjedhur Presidenti i Republikës. Në verën e këtij viti u krijua formacioni politik që u quajt “Lëvizja Nano për President”. Posti i kreut të shtetit ka qenë një ëndërr e vjetër e Fatos Nanos por mbeti e tillë.

Pavarësisht se Nano loboi fort me grupimin e tij, madje arriti të marrë edhe mbështetjen e ish-armikut historic, Sali Berishës, refuzimi i Edi Ramës për ta kandiduar në emër të Partisë Socialiste, e largoi ish-kryetarin nga posti i Presidentit. Menjëherë pas zgjedhjes së Bujar Nishanit si President, më 11 qershor 2012 “Lëvizja Nano për President” deklaroi mbylljen e saj. Duket se Nano nuk e kaloi kaq lehtë këtë humbje. Vetëm pak ditë pas mbylljes së formacionit politik dhe gati një vit para zgjedhjeve të përgjithshme Nano u riaktivizua politikisht.

Këtë herë formacioni i tij politk u quajt “Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve”. Me këtë formacion Nano u përpoq të godiste si Sali Berishën e Ilir Metën që ishin në aleancën që qeveriste, ashtu edhe Edi Ramën kreun e opozitës.

Por edhe kjo lëvizje e Nanos mbeti e pafuqishme, sepse asaj nuk iu bashkuan figura më profil të lartë politik të së majtës, si dhe vetë ish-lideri historic nuk shfaqi ndonjë dëshirë të madhe për betejë politike. Tashmë duhet parë nëse kjo lëvizje e re e Fatos Nanos do të ketë grintën e duhur për të hyrë në arenën politike apo do shuhet shpejt si dy të parat.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Trump kthehet për fushatë në vendin ku iu bë atentati, Harris viziton zonat e prekura nga uragani Helene

Trump kthehet për fushatë në vendin ku iu bë atentati, Harris viziton zonat e prekura nga uragani Helene