Sonte në mbrëmje në Seria A do të luhet supersfida e javës së 21 mes Napolit dhe Juventusit. Të kaltërit e drejtuar nga Gatusso kanë humbur katër ndeshjet e fundit që kanë luajtur në shtëpi, ndërsa Juventus ka fituar 14 nga 17 ndeshjet e fundit në kampionat.
Gjithsesi kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për Napolin për t’u rinisur dhe për t’u hakmarrë pas asaj humbje dramatike 4-3 në ndeshjen e parë të zhvilluar në ‘Allianz Stadium’. Aktualisht Juventus renditet në vendin e parë me 4 pikë më shumë se Interi, ndërsa Napoli mban vendin e 13.
Përsa i përket mungesave Diego Demme do të marrë vendin e Allan, ndërsa Mario Rui ka lënë pas dëmtimin dhe do të kthehet nga minuta e parë. Tek Juventus Bentacur ka shlyer kartonat dhe do të jetë në dispozicion të Sarri-t e me shumë mundësi do të marë vendin e Rabiot. Gjithashtu nga minuta e parë pritet ta nisë edhe Ramsey me Dybala-n, që në mesjavë u lanë pushim kundër Romës.