NAPOLI, 4 korrik /ATSH-ANSA/ - Anëtari i Parlamentit Evropian, Nicola Caputo i paraqiti zyrtarisht një kërkesë Komisionit Evropian, që të emërojë një komisioner për të trajtuar krizën e imigracionit të paligjshëm që ka mbërthyer kontinentin. "Imazhet e këtyre fëmijëve në portin e Salernos, të ndarë në grupe, të cilët janë të vetmuar dhe të raskapitur, nuk na lejojnë të shohim më larg. Unë bëra një kërkesë në Komisionin Evropian ku kërkova të emërohet nje komisioner për imigrimin, ndërkohë që 'Frontex'-i te kthehet në trupa për mbrojtjen e kufijve, që Italia të mos jetë më e vetme në përballjen e emergjencave që i vijnë nga imigrimi ilegal", deklaroi deputeti i Parlamentit Evropian, Caputo. "Emërtimi i një komisioneri evropian për imigracionin do të ishte sinjal pozitiv nga BE-ja. Ne jemi ballafaquar me një emergjencë të vërtetë humanitare që nuk mund të trajtohet vetëm në vendin tonë", theksoi Caputo./ a.jor.