TIRANE - Në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" kryetari i PDK, njëherësh zv.ministër i Brendshëm Nard Ndoka tha se marrëveshja me koalicionin e djathtë të kryesuar nga Berisha po funksionon normalisht dhe se jep garanci për fitoren e një mandati të tretë në zgjedhjet e verës së vitit 2013. Nga ana tjetër Ndoka nënvizon faktin se pavarësisht se nuk ndjehet i penduar për kalimin në koalicionin e Berishës, pasi Rama nuk di të bëjë koaolicione, ai thotë njëherësh se dhe se fakti që ishte në koalicion me Ramën nuk sillte asnjë pendesë, pasi e quan një përvojë të rëndësishme. Duke e cilësuar Berishën një politikan pragmatist dhe Ramën evropian, që ose si ka ardhur ose i ka kaluar koha, Ndoka akuzon dy partitë e mëdha se tentojnë të përfitojnë në kurriz të të vegjëlve. Ndërsa ai deklaron se aty ku ka korrektesë, koalicioni në pushtetin vendor me PS do vazhdojë deri në fund, pavarësisht se është në qeverinë qëndrore me PD.

Marrëveshja e PDK me PD solli që ju të merrni postin e zv.ministrit të Brendshëm në bashkëqeverisjen e dytë me Berishën. Pas kaq muajsh shkëputje nga koalicioni opozitar dhe kalimi në mazhorancë, çfarë ndjesie po provoni …?
Marrëveshja me PD-në, së pari, është një marrëveshje politike për bashkëqeverisje, e mbështetur kryesisht në bashkëpunimin e koalicionit të partive të djathta për zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2013. Së dyti, bashkëpunimi me PD-në dhe mazhorancën aktuale erdhi në momentin kur PS, si partia më e madhe opozitare, la në mes të rrugës aksionin e "Opozitës së Bashkuar", për reformimin e Kodit Zgjedhor dhe ndërtimin e një strategjie të përbashkët opozitare për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Lidershipi i PS-së ka demonstruar mungesë vizioni dhe vullneti për ndërtimin e koalicioneve, të konstatura këto dhe në zgjedhjet lokale të 2011. Lidershipi i PS sot është i paqartë, i çoroditur, pa shpresë dhe pa alternativë për të ardhmen. Kjo mungesë vizioni e shprese në PS, që po demonstrohet dhe publikisht me qëndrime ekstreme dhe të dëmshme, jo vetëm për vetë opozitën, por edhe për vendin, na e ka bërë më komod kthimin tonë si force politike në koalicion me mazhorancën.

Po mazhoranca është në fund të mandatit të dytë...?
Sot mazhoranca aktuale po fiton terrenin e humbur nga problemet që ka pasur gjatë mandatit të dytë. Po krijon një imazh shprese e besimi tek qytetarët se, kjo mazhorancë duhet të vazhdojë akoma me tej, kjo falë dhe mungesës së kohezionit të opozitës së sotme. Ndaj, ndjesia që provoj sot në mazhorancë është ajo e besimit, shpresës e sigurisë, bazuar në rregullat hapësirat e marrëvëshjet e vendosura midis palëve politike në koalicionin e mazhorancës.

Jeni penduar se keni qëndruar kaq kohë në opozitë i shkëputur nga qeverisja e djathtë, të cilës tashmë i përkisni, apo keni ndonjë pendesë që nuk arritët të gjenit gjuhën e përbashkët me Ramën për të qëndruar dhe më tej në koalicionin opozitar?
Nuk jam penduar, përkundrazi, ka qenë një eksperiencë e çmuar për PDK që unë drejtoj, bashkëpunimi me "Opozitën e Bashkuar". Kemi ndarë sëbashku momente pozitive, por dhe probleme të mëdha, situata dramatike, protesta dhe momente delikate për opozitën dhe vendin. Personalisht jam ndjerë mirë dhe si forcë politike e qendrës së djathtë, për faktin qe dhe nga ndikimi ynë, lidershipi i PS-së u hap për herë të parë në këto 20 vite ndaj pronarve dhe ish të persekutuarve. PDK nuk u largua nga opozita për të rendur drejt pushtetit, por u larguam kur PS u mbyll në bunkerin e vet e po bënte llogaritë me Kodin Elektoral për minimizimin e rolit të partive aleate e përjashtimin e tyre. Kur PS shkeli marrëveshjen me ne, kur tregoi disa herë se nuk është bashkëpunuese, se nuk është e interesuar për koalicione të qëndrueshme, se nuk di apo nuk do të organizojë një opozitë të fortë dhe alternative për qeverisje, kur lidershipi i PS-së zgjodhi rrugën e vetmisë, me llogaritjet dhe shpresën për t'i fituar e vetme zgjedhjet e ardheshme, për ne u bë e pamundur të gjendej një gjuhë e përbashkët me PS-në.

Po në PS ka debate, mendim ndryshe...?
Unë mund të them që dhe ata që duhet të flisnin e lidhën gjuhën e kjo ndoshta do t'ju kushtojë shumë në zgjedhjet e 2013-ës. Partia Demokristiane e Shqipërisë, s'është një forcë politike që kërkon lëmoshë nga partitë e tjera, por kërkon rregulla e marrëveshje të qëndrueshme politike. PDK ishte forcë e rëndësishme në opozitë me rreth 50.000 vota në zgjedhjet lokale, me shtrirje dhe përfaqësim në të gjithë territorin e vendit, por s'mund të lejonte që votat e alternativës Kristiane të përfaqësoheshin nga parti të tjera politike në Kuvendin e Shqipërisë.

Shqipëria ka hyrë në vitin elektoral. Duke u kthyer tek sistemi zgjedhor, vijoni të keni të njejtin qëndrim, sipas të cilit partitë e mëdha, PD dhe PS kërkojnë që me këtë sistem të penalizojnë partitë e vogla?
Ky është qëllimi kryesor i dy partive të vjetra politike, që nëpërmjet sistemit zgjedhor, të mbesin parti të mëdha dhe të përjashtojnë partitë e tjera politike. Pra, nëpërmjet Kodit Zgjedhor, të "vjedhin" përfaqësimin tonë politik, të deformojnë votën e qytetarëve shqiptarë, të tjetërsojnë përfaqësimin e tyre. PS-ja ka një përgjegjësi të madhe. Së pari, para qytetarëve, sepse ishte inisiatorja e ndryshimeve kushtetuese dhe e Kodit Zgjedhor në mënyrë të njëanshme dhe nëpërmjet pazareve politike me PD-në. Së dyti, kishte një obligim që ta kthente Kushtetuten dhe Kodin Zgjedhor në parametrat e pranuar nga të gjitha palët, por zgjodhi sërish pazarin me PD-në dhe demagogjinë me aleatet dhe partitë e tjera politike. Në këto kushte, kur kemi një Kod Zgjedhor përjashtues dhe problematik, mazhoranca aktuale dhe PD në veçanti, po tregohet më e hapur, me bashkëpunuese, më transparente dhe me pragmatiste për krijimin e koalicionit për zgjedhjet e 2013-ës.

Keni deklaruar se Berisha di të mbaje fjalën, di të bëjë koalicione, në ndryshim nga Rama. Keni realizuar atë që prisnit në tërë këto muaj në koalicion me Berishën dhe mendoni se kjo mazhorancë mund të fitojë një mandat të tretë qeverisës?
Z.Berisha është një politikan pragmatist, largpamës dhe ndërtues në kuptimin e plotë të fjalës. Ndërsa Z.Rama është një politikan europian, që nuk i ka ardhur akoma koha ose ndoshta i ka kaluar.

Në kabinetin e ri qeveritar, përpos disa ministrave që janë të rinj, ka dhe të tjerë që po bëjnë tetë vite në karrige. Mendoni se me këtë kabinet mund të binden shqiptarët për t'i besuar votën dhe njëherë mazhorancës së djathtë?
Qeveria në tërësi ka pasur një performancë normale, pra nuk kemi një qeveri që ka shkëlqyer. Qeveria vlersohet kryesisht nga raporti i atyre çka premtuar dhe çka ka realizuar. Ka nje bilanc, që do të vlersohet me votë në 23 Qershor 2013. Opozita është "pasqyra" që mazhoranca duhet të shikojë gabimet e saja. Opozita është pasqyra dhe opinioni ku qytetarët shohin qeverinë e tyre, gabimet dhe mosrealizimet e saja. A kemi pasur një pasqyrë të qartë? Unë mendoj se opozita e ka keqpërdorur pasqyrën e vet, herë duke e plasaritur, herë duke i fryrë për ta mjegulluar atë. Pra, nuk kemi pasur një "pasqyrë" të pastër. Kjo ka krijuar probleme, mungesë besimi dhe çoroditje tek qytetaret lidhur me rolin e opozitës dhe qeverisjen e vendit. Ka ndodhur shpesh që qytetarët kanë bërë me faj edhe opozitën për dështimet apo mosrealizimet që kemi pasur në këto vite.

Më konkretisht jeni përcaktuar tashmë në koalicion me Berishën. Nuk ekziston mundësia për një koalicion me partitë të tjera, nëse nuk ju garanton Berisha pjesmarrjen në Kuvendin e ardhshëm?
Partia Demokristiane e Shqipërisë ka një marrëveshje politike në parim për bashkëqeverisje dhe koalicion me PD-në për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ende nuk kemi konkretizuar detajet e bashkëpunimit, por kemi gjetur mirëkuptimin për të vazhduar më tej sëbashku. Nuk shoh ndonjë pengesë apo mosmarrëveshje mes nesh, aq me tepër që interesi politik është reciprok.

Duke parë debatin që ka shpërthyer për Fierin, për integrimin, për listat dhe qarkullimin e mandateve duke paralajmëruar një fushatë të egër elektorale, mendoni se të gjitha këto janë një kosto për mazhorancën dhe si e parashikonin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013?
Debati për Fierin është demagogjik. PS-ja, për fatin e keq, po vazhdon çoroditjen dhe mungesën e vizionit të saj. Nuk ka asnjë të drejtë ligjore apo kushtetuese për të kërkuar drejtimin e një Qarku nëpërmjet një lufte politike që shkon deri në bllokimin e integrimit të vendit. Qarku i Fierit është një problem lokal, i rëndësishem për çdo forcë politike. Raportet politike, balancat e numrave midis këshilltarëve të një Qarku, mund të lëvizin disa herë në një mandat katër vjeçar. Këto raporte e ballanca vendosen në Këshill, duke respektuar rregulloren e Këshillit të Qarkut dhe ligjin "Për fuksionimin e pushtetit lokal". Një kryetar Qarku nuk emërohet nga partitë, por zgjidhet nga Këshilltarët e Qarkut, të cilët votohen fillimisht në komuna e Bashki. Këto raporte dhe ballanca mund të ndryshohen rast pas rasti, kur ka ndryshime të koalicioneve kur ka ndryshime të qëndrimeve të keshilltarëve, kur ka lobingje të ndryshme etj.

Që do të thotë....?
Marrim vetëm një shembull: Bashkëpunimi lokal PDK-PS, nëse mund të ndodhë ndryshimi i këtyre marrëdhënieve politike, mund të prishë ballanca në shumë komuna e bashki të vendit dhe të Qarkut Fier. Partia Demokristiane është përpjekur t'i qëndrojë strikte marrëveshjeve lokale. Aty ku ka pasur bashkëpunim dhe respekt reciprok, ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nëse Këshilltari i PDK-së në Bashkinë e Lushnjes, i bashkon votat me Këshilltarët e PD dhe mazhorancës aktuale, aty ndryshojnë totalisht raportet dhe për pasojë dhe në atë të Qarkut Fier. Këto raporte nuk janë krijuar dhe as nuk mund të mbahen duke kushtëzuar njëri-tjetrin, por duke bashkëpunuar e duke lobuar mes paleve.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)