TIRANE- “Opozita duhet të rikthehet në Parlament”, kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Shqiptarja.com”, aleati i PD-së ka theksuar rëndësinë e rikthimit të opozitës në Parlament, si jetike për gjithë mbarëvajtjen e jetës institucionale parlamentare. Kreu demokristian u shpreh se opozita duhet të japë alternativën e saj nga foltorja e Kuvendit, sepse në gjykimin e tij secili prej deputetëve të opozitës është zgjedhur nga populli për t’i përfaqësuar me zërin e tyre Parlament.

Ai u shpreh se Partia Demokratike, ka një arsye të fortë në këtë moment që t’i rikthehet jetës parlamentare, pasi duhet të jetë pjesë e konsultimeve për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Ndërkohë,ai thekson se një tjetër arsye rikthim në Parlament janë edhe shqetësimet që opozita po ngrin çdo ditë për rritjen e taksave, rritjen e çmimit të energjisë dhe rritjen e papunësisë në vend. Të gjitha këto në gjykimin e kreut demokristian, duhet të ngrihen si shqetësim nga institucioni i Kuvendit.