Një natë festive e plot me hare mbizotëroi në banjat termale të Bënjës. Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale ndërsa turistë të shumtë po festojnë nën ritmet e këngëve popullore.
Me ironi kryeministri Rama i quan banjat e “shkretuara” dhe shkruan se flamingot e qelesheve të Bulevardit tentuan të krijojnë vatër të re nxitjeje, por nuk ia dolën pasi fitoi e vërteta.
“Nga Banjat “e shkretuara” Termale të Bënjës, Përmet, ku me shumë dizinformim e montazhe provokuese të shpërndara nëpër kanalet sociale 48 orë rresht nga flamingot me qeleshe të bulevardit dhe me fryrjen e pandalur të Algoritmit të urrejtjes, u tentua të krijohej një vatër e re nxitjeje… Por kësaj radhe s’nuk, fitoi e vërteta”, shkruan Rama.
Ky është reagimi i tretë që kryeministri i Edi Rama për çështjen e Llixhave të Bënjës në Përmet, pas disa lajmeve të botuara në media dhe ankesave të turistëve që në mesin e sezonit turistik i gjetën vaskat bosh. Por, pas këtyre lajmeve socialistët sqaruan se punimet për rehabilitimin ende nuk kanë përfunduar.
Të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, Banjat e Bënjës janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri, ndërsa punimet për rikualifikimin parashikojnë investime për rrugë të reja aksesi, mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës.
Komente









