Natë terrori në Tiranë, 2 bomba
familjes së Tahirit, 1 për policin 

Natë terrori në Tiranë, 2 bomba<br />familjes së Tahirit, 1 për policin 
TIRANË - Dy shpërthime me lëndë eksplozive dhe një tentativë për atentat sërish me tritol i cili u çaktivizua nga policia, ndodhën në kryeqytet rreth orëve të para të mëngjesit brenda një harku të shkurtër kohor, por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz. Pre e dy shpërthimeve (i pari në orën 02:50 dhe i dyti në 03:50) ranë farmacia e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe banesa e Alfred Numanit, shefi i Krimeve të Rënda në Korçë, njëherësh ish-shef i komisariatit numër 3 të kryeqytetit. Shperthimi ndodhi ne rrugen "Arben Minga" qe ndodhet nje rrugice larg farmacise se babait te ministrit Tahiri, perballe Pediatrise ne QSUT. Te cilesuara akte terroriste nga prokuroria e Krimeve te renda, hetimet per tre ngjarjet qe ndodhen në një kohë të afërt ndërmjet tyre, do te hetohen së bashku ne drejtimin e nje grupi hetimor.

Po gjatë mëngjesit të hershëm, rreth orës 06:15 policia gjeti dy kallëpe tritoli të lidhura me tel pranë një stacioni autobusi. Tritoli u gjet në rrugën “Muhamed Gjollesha” në stacionin e autobusit ku kalon linja e Unazës së Tiranës, në të njëjtin vend ku babai i ministrit Tahiri parkon zakonisht makinën. Sasia e tritolit ishte e mbështjellë me gazetë dhe me dy tela të nxjerrë në pjesën e jashtme. Në këto kushte policia bëri shpërthim të kontrolluar për të shmangur pasoja fatale në njerëz, të cilët udhetojnë me linjat e autobusëve të kryeqytetit.

Ora 18:25 Nishani: Dënoj me ashpërsi aktet kriminale
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dënon me ashpërsi aktet kriminale të goditjes me shpërthim të ndodhura sot në Tiranë. Përmes një njoftimi për mediat të shpërndarë nga Presidenca theksohet se Presidenti u kërkon agjencive ligjzbatuese, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të angazhohen maksimalisht për vënien përpara drejtësisë të autorëve të këtyre akteve.

Më tej shtohet se Kreu i Shtetit garanton mbështetjen e tij të pakufishme për të gjitha strukturat shtetërore në luftën kundër krimit dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri.

Ora 15:30 Tahiri: Jo e lehtë të të sulmojnë familjen, askush s’do më ndalë 
Asgjë dhe askush, me asnjë formë presioni apo terrori të çfarëdo natyre, nuk do të më ndalë në këtë rruge të përcaktuar nga populli shqiptar shkruan Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në rrjeti social “Facebook” duke reaguar për dy sulmet që kanë pasur si objektiv babain e tij.
 
Ndërsa shpreh mirënjohje për mesazhet e solidaritetit, Tahiri thekson se “Nuk është e lehtë të shohësh familjen tënde të sulmuar për shkak të detyrës që t’i bën, por dua të më besoni se kjo e bën edhe me te forte ndjenjën e kësaj detyre kaq me rëndësi për sigurinë dhe qetësinë e çdo familjeje apo individi që jeton në vendin tënd. Tahiri:Jo e lehtë të të sulmojnë familjen

Ora 15:20 Hetimet: Bomba e tretë ku parkonte babai i Tahirit
Pas hetimeve të para të policisë ka rezultuar se edhe kallëpet e tritolit që u zbuluan dhe më pas u çaktivizuan pranë një stacioni autobusi në rrugën “Muhamed Gjollesha” kanë pasur si objektiv babain e ministrit Tahiri. Burime nga policia bëjnë me dije se tritoli ishte vendosur në vendin ku babai i ministrit Tahiri, Bashkim Tahiri parkonte zakonisht automjetin e tij. Në momentin që është gjetur tritoli makina e Bashkim Tahirit nuk ka qenë e parkuar.

Ora 12:50 Shoqërohen 15 persona
Lidhur me 2 shpërthimet me tritol në orët e para të mëngjesit, si dhe të një të treti të mbetur në tentativë, policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat 15 persona, të cilët po merren në pyetje për zbardhjen e plotë të akteve terroriste. 

Ora 12:25 Njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës për tre eksplozivët në Tiranë
1. Më datë 10.02.2015 rreth orës 02.55 në rrugën “Kongresi Manastirit“ në Tiranë, në motorrin e kondicionerit të murit të jashtëm, të farmacisë së shtetasit B.T, është vendosur lëndë shpërthyese e dyshuar eksplozive, ku ka dëme materiale.
 
2.Më datë 10.02.2015 rreth orës 03.50, në rrugën “Arben Minga“ pall 47/6 në Tiranë, është vendosur lëndë shpërthyese në katin e pestë në shesh-pushimin këtij pallati, në pronësi të shtetasve E.F dhe A.N. Nga shpërthimi ka dëme materiale në dyert hyrëse të apartamenteve.
 
3.Më datë 10.02.2015 rreth orës 06.15 në rrugën “Muhamet Gjollesha“ në Tiranë, pranë stacionit të autobuzit të Unazës, është konstatuar një pako e mbështjellë me natriban dhe një detonator elektrik.
 
Pas konstatimit, shërbimet e policisë dhe strukturat xheniere kanë bërë të mundur një shpërthim të komanduar duke parandaluar një tjetër ngjarje.
 
Aktualisht për ngjarjet e mësipërme janë ngritur grupet e hetimit dhe po kryhen veprimet hetimore e proçeduriale.


Ora 11:35 Njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda
Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka nisur hetimet për vepra penale “Vepra me qëllime terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal, pas dy shpërthimeve dhe një tentative për shpërthim me lëndë eksplozive, të ndodhura mëngjesin e së Martës, dt. 10.02.2015, në disa zona të Tiranës.
 
Nga të dhënat paraprake, rezulton se në orën 02.5 të datës 10.02.2015 ka ndodhur një shpërthim me lëndë eksplozive në një ambient tregtar, në pronësi të shtetasit B.T, ndodhur në rr. “Kongresi i Manastirit”.
Rreth orës 03.50, ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive në shesh-pushimin e katit të pestë të një pallati në rr. “Arben Minga” dhe janë dëmtuar banesat e shtetasit A.N, zyrtar i Policisë së Shtetit, dhe shtetasit E.F.
 
Po ashtu, rreth orës 06.15, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në një stacion autobusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, është zbuluar një sasi lënde eksplozive, e gatshme për të shpërthyer. Pas konstatimit të lëndës plasëse, nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit është kryer shpërthimi i kontrolluar.
 
Këto tre ngjarje për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në kuadër të këtij hetimi, po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme procedurale. 


Ora 10:55 Tritoli ndaj Numanit, në 2013 tjetër sulm ndaj efektivit
Në gusht të vitit 2013 kur Alfred Numani ishte në krye të Komisariatit numër tre, një tjetër sulm ka ndodhur ndaj tij. Persona të paidentifikuar i vunë flakën banesës së Numanit, pasi kishin lyer me benzinë murin e korridorit të jashtëm të banesës. Edhe në atë kohë pati vetëm dëmë materiale, dhe asnjë të lënduar, pasi Alfred Numani ndodhej në SHBA.

Ora 10:30 Shpërthimet në Tiranë, përfundon takimi Tahiri-Llalla-Ajazi
Pas rreth 20 minutash, ka përfunduar takimi urgjent që ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri mbajti në zyrën e tij me kryeprokurorin Llalla dhe kreun e SHISH Visho Ajazi. 



Ora 10:10 Shpërthimet në Tiranë, Tahiri thërret në takim urgjent Llallën dhe Ajazin
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri thirri në një takim urgjent kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe kreun e Sherbimit Informativ Visho Ajazi, në zyrën e tij në Ministrinë e Brendshme. 

Ora 09: 50 Tritoli ne stacionin e autobusit, Policia u njoftua nga një telefonatë anonime
Gazetari Arsen Rusta raporton nga terreni se ka qenë një telefonatë anonime e cila ka sinjalizuar policinë për tritol në zonën e “Vasil Shantos”. Telefonata ka qenë e rezervuar në informacione, pa specifikuar vendin se ku ndodhej sasia e lëndës eksplozive. Dy kallëpet e tritolit u gjetën në stacionin e autobusit në rrugën “Muhamed Gjollesha” pas kontrollit me qen antieksploziv. Qarkullimi në të gjithë zonën u bllokua për rreth 1 orë e 30 minuta. Ky informacion mbërriti në polici rreth orës 05:00 të mëngjesit, 2 orë pas shpërthimeve me tritol që ndodhën në farmacinë e babait të ministrit Tahiri dhe në shtëpinë e shefit të Krimeve në Korçë.

Ora 09:40 Tritoli te “Muhamed Gjollesha”, policia nis kontrollet në të gjitha stacionet
Sipas informacioneve për A1 Report, mësohet se policia ka nisur kontrolle thuajse në të gjithë stacionet e autobusëve në kryeqytet

kontrolli

Ora 09:23  Tritoli te "Muhamed Gjollesha", 2 kallëpet u vendosën në stacionin e autobusit
Dy kallëpet me tritol të cilat u gjetën nga uniformat blu dhe u plasën me shpërthim të komanduar ishin vendosur pranë stacionit të autobusit ku kalon linja e Unazës së Tiranës. Ky fakt bëhet i ditur për A1 Report nga burime nga policia, ndërsa mbetet mister objektivi dhe qëllimi i personave që kanë vendosur tritolin në këtë zonë. Nëse do të ndodhte shpërthimi i telekomanduar, pasojat në njerëz do të ishin fatale për shkak të personave që rrinë në stacion për të pritur autobusin. 



Ora 09:00 Tritoli në farmaci, dëme materiale në biznesin pranë
Nga shpërthimi me tritol në farmacinë e babait të ministrit Tahiri është dëmtuar edhe një biznes pranë saj. Dëmet materiale janë të konsiderueshme por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz për shkak se në atë orë nuk ka pasur asnjë person të pranishëm.

Ora 08:30 Tritoli te "Muhamed Gjollesha", Policia gjeti 2 kallepe në rrugë, bëri shpërthim të komanduar
Policia ka gjetur dy kallëpe tritol në rrugë. I ka bërë policia shpërthim të kontrolluar. Dyshohet se ishin planifikuar për të shpërthyer me telekomandim pasi ishin të lidhur. Policia ka bërë shpërthimin e kontrolluar për të shmangur shëprthimin e tij. Dyshimet paraprake janë se tritoli mund t ëishte lënë në rrugë për të shpërthyer me telekomandim ndaj ndonjë personi që do të kalonte në zonë, dhe që mund të ishte shënjestër e atentatorëve. 


shperthimi gjollesha

Ora 08:00 Tritoli ndaj Numanit, shpërthimi në sheshpushimin e katit te 5 te pallatit
Burime nga Policia e kryeqytetit thanë për A1 Report se sulmi i dytë me tritol ka ndodhur rreth orës 03:30 në banesën e ish-shefit të komisariatit numër 3 në Tiranë, Alfred Numani. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm sa ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz. Sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur në shesh pushimin e katit të pestë të një pallati të vjetër në rrugën “Arben Minga”. Nga shpërthimi i tritolit është rrëzuar i gjithë muri rrethues i katit, po ashtu është shembur edhe dera e shtëpisë së Numanit, aktualisht shef i Krimeve të Rënda në Korçë. 





Ora 07:58 Shpërthim i tretë tek Muhamed Gjollesha
Një tjetër shpërthim ka ndodhur në kryeqytet, duke shënuar rastin e tretë të sulmit me lëndë eksplozive. Shpërthimi është shënuar pranë një objekti në rrugën “Muhamed Gjollesha” mes kryqëzimit të “Vasil Shantos” dhe “21 Dhjetorit”.

Ora 07:55 Shpërthimi i dytë, pranë shtëpisë së ish-shefit të komisariatit 3
Shpërthimi i dytë me tritol i ndodhur në rrugën “Arben Minga” ka ndodhur pranë shtëpisë së ish-shefit të komisariatit numër 3 Alfred Numani, por nuk dihet nëse ka qenë ai në shënjestër të sulmit, apo ndonjë objekt tjetër. 

ish-shefi i komisariatit numër 3 Alfred Numani
shperthimi te pallati
shperthimi te pallati

07:40 Tritol faramcise se babait te Tahirit, u vendos tek kondicioneri
Farmacisë së babait të ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i është vënë lëndë eksplozive gjatë natës. Farmacia e Bashkim Tahirit ndodhet pranë Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza” dhe mësohet se nga shpërthimi i tritolit ka pasur vetëm dëme materiale. A1 Report mëson se lënda eksplozive është vendosur në pjesën e jashtem të kondicionerit të farmacisë.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Sudja e plakur ulërin nga maja e pallatit e sudja e re vjen vërdallë' Rama sulmon Berishën e Topallin: Për këta Shqipëria s'do kishte kurrë reformën në drejtësi

'Sudja e plakur ulërin nga maja e pallatit e sudja e re vjen vërdallë' Rama sulmon Berishën e Topallin: Për këta Shqipëria s'do kishte kurrë reformën në drejtësi