Elita e basketbollit amerikan, NBA, zhvilloi mëngjesin e sotëm me orën shqiptare dy ndeshjet e radhës gjysmëfinale play-off. Pas fitoreve të Oklahomas dhe Detroit, dy skuadrat marrin kryesimin 2-0 kundër Los Angeles Lakers dhe Cleveland Cavaliers.

Në Konferencën e Lindjes, Detroit Pistons triumfoi 107-97 ndaj Cleveland Cavaliers në gjysmëfinalen e dytë play-off, duke kaluar në avantazhin 2-0. Dueli ishte i luftuar dhe me shumë rivalitet, por skuadra nga Detroit tregoi më tepër qetësi dhe saktësi në momentet vendimtare.

Lider për vendasit ishte Cade Cunningham me 25 pikë, ndërsa Tobias Harris shtoi 21 pikë të tjera. Për Cavaliers nuk mjaftuan 31 pikët e Donovan Mitchell, me serinë që tani zhvendoset në fushën e Cleveland për dy përballjet e ardhshme.

Ndërkohë, në Konferencën e Perëndimit, Oklahoma City Thunder mposhti 125-107 Los Angeles Lakers, duke marrë gjithashtu epërsinë 2-0 në seri. Kampionët në fuqi zhvilluan një paraqitje bindëse para tifozëve të tyre dhe dominuan pjesën më të madhe të takimit.

Për Lakers u dallua Austin Reaves me 31 pikë, por performanca e tij mbeti vetëm për statistikë. Tek Oklahoma shkëlqeu loja në grup, me gjashtë basketbollistë që realizuan mbi 10 pikë. Më efikasët ishin Shai Gilgeous-Alexander dhe Chet Holmgren, që realizuan nga 22 pikë secili.

Konferenca e Lindjes, gjysmëfinale

(1-4), Detroit - Cleveland, 107-97 (2-0)

(2-3), New York - Philadelphia, (2-0)

Konferenca e Perëndimit, gjysmëfinale

(1-4), Oklahoma - Lakers, 125-107 (2-0)

(2-3), San Antonio - Minnesota, (1-1)