SHBA - Kampionët në fuqi të NBA, Oklahoma City Thunder, pësuan humbjen e parë sezonale, pasi u mundën me rezultat të ngushtë 121-119 nga Portland Trail Blazers. Ishte një përballje e luftuar deri në sekondat e fundit, ku për vendasit spikati Deni Avdija, autor i 26 pikëve dhe 10 kërcimeve në tabelë, ndërsa edhe dy bashkëlojtarë të tjerë realizuan mbi 20 pikë secili. Për Oklahoman nuk mjaftuan 35 pikët e Shai Gilgeous-Alexander, që mbeti sërish lideri i skuadrës.
Në Konferencën e Perëndimit, Los Angeles Lakers vazhdojnë ngjitjen në renditje pas fitores dramatike 118-116 ndaj San Antonio Spurs. Luka Donçiç shkëlqeu me një paraqitje spektakolare, duke regjistruar 35 pikë dhe 13 asistime dhe duke udhëhequr kalifornianët drejt një triumfi të rëndësishëm.
Në krahun tjetër, Cleveland Cavaliers mori një fitore po aq të madhe, duke mposhtur Philadelphia 76ers me shifrat 132-121, falë një performance mbresëlënëse të Donovan Mitchell, që shpërtheu me 46 pikë.
Pas një periudhe luhatjesh, Boston Celtics u rikthyen te fitorja me stil, duke shkatërruar Washington Wizards me rezultatin 136-107. Jaylen Brown ishte më i miri në parket me 35 pikë, duke rikthyer buzëqeshjen te tifozët e “gjelbër”.
Golden State Warriors zhgënjyen sërish, pasi u mundën 121-116 nga Sacramento Kings. Për vendasit spikati DeMar DeRozan me 25 pikë, ndërsa Russell Westbrook realizoi një “triple-double” të plotë (23 pikë, 16 kërcime dhe 10 asistime), duke i dhënë fitoren Kings.
Rezultatet në NBA:
Sacramento - Golden State, 121-116
Dallas - New Orleans, 99-101
Denver - Miami, 122-112
Lakers - San Antonio, 118-116
Portland - Oklahoma, 121-119
Cleveland - Philadelphia, 132-121
Detroit - Utah Jazz, 114-103
Indiana - Brooklyn, 103-112
Boston - Washington, 136-107
New York - Minnesota, 137-114
Memphis - Houston, 109-124
Komente










