SHBA - New Yorku po përjeton një atmosferë të jashtëzakonshme sportive, teksa Knicks janë vetëm disa hapa larg realizimit të ëndrrës së madhe për t’u shpallur kampionë të NBA-së, një trofe që mungon në vitrinën e klubit që prej vitit 1973.

Pas dy fitoreve të rëndësishme në transfertë e Teksasit kundër San Antonio Spurs, seria finale tashmë zhvendoset në 'Madison Square Garden', ku skuadra e New Yorkut ka mundësinë të mbyllë llogaritë para tifozëve të saj nëse arrin të fitojë edhe dy ndeshjet e ardhshme.

Entuziazmi i tifozëve ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve të biletave. Për ndeshjen e tretë të serisë, kërkesa ka qenë tepër e lartë, me disa tifozë që kanë paguar deri në 11.736 dollarë për një biletë, ndërsa çmimi fillestar ishte 7.142 dollarë.

Megjithatë, rekordi i vërtetë është regjistruar për ndeshjen e katërt, e cila mund të rezultojë vendimtare për kurorëzimin e Knicks si kampionë. Sipas platformës “Gametime”, një biletë në rreshtin e parë pranë parketit po shitet për më shumë se 104.000 dollarë, një shifër që dëshmon ethet e mëdha që kanë përfshirë qytetin.

Me titullin kampion më pranë se kurrë në më shumë se pesë dekada, tifozët e Knicks janë të gatshëm të paguajnë shuma marramendëse për të qenë dëshmitarë të një momenti historik për klubin e tyre.