TIRANE - Bashkia e Tiranës ka reaguar për akuzat e bëra ditën e sotme nga Artan Shkreli, këshilltari për kulturën i Kryeministrit Edi Rama, lidhur me ndërtesën 11 katëshe që ka nisur të ndërtohet në rrugën e Elbasanit në kryeqytet.

Përmes një komunikate për shtyp, Bashkia e Tiranës ka ironizuar deklaratat e Shkrelit, i cili tha se leja e dhënë nga kryebashkiaku Basha është jashtë çdo aspekti ligjor. Sipas Bashkisë së Tiranës, akuzat e Shkrelit janë shpifje, ndërsa e cilësoi këtë të fundit një karikaturë të kryeministrit Rama.

“Shkreli, bashkë-arkitekti i betonizimit të Tiranës i shumë përdoruri sekser dhe i keqpërdoruri serial i ish-kryebashkiakut Rama, zuri vendin e dallëndyshes së korrupsionit përmbarues dhe krimeve të tjera ndaj qytetarëve, për të cilat po afron dita e gjykimit. Përgjigjen ndaj këtyre shpifjeve banale dhe faktet e plota Bashkia Tiranë i bëri publike dje. Ndaj sot, kjo karikaturë pseudointelektuale e Ramës dhe kohërave më të trishta të Tiranës meriton vetëm sentencën proverbiale që qytetarët e Tiranës i vunë si epitaf keqqeverisjes korruptive dhe klienteliste dhe masakrës urbane të Ramës. Edikaturisti, edikaturoi një edikaturë edikteristike.” thuhet në komunikatën e Bashkisë së Tiranës.

Ndërtesa 11 katëshe që ka marrë leje ndërtimi nga bashkia e kryeqytetit, ka sjellë përplasje të forta mes qeverisë dhe opozitës. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)