TIRANË - Çdo qytetar që ka ndërtuar pa leje pas vitit deri përpara datës 27 qershor 2014, do mund të aplikojë për legalizimin e objektit. Do mund të aplikohet gjithashtu edhe për legalizimin e objekteve ndihmëse në funksion të ndërtimeve pa leje, ndërkohë që qeveria ka vendosur të njohë si të vlefshme edhe vetëdeklarimet e bëra pranë njësive të qeverisjes vendore. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një seri ndryshimesh në legjislacionin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, të cilat i hapin udhë amnisitimit të objekteve të ngritura pas vitit 2009.

“Ky ligj zbatohet për objektet pa leje, të ndërtuara përpara datës 27 qershor 2014, me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që posedohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar. Këtu përfshihen edhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer aplikimin për legalizim, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj. Objektet ndihmëse, në shërbim të ndërtimeve pa leje, legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore”, përcakton Qeveria.