Kancelarja gjermane Angela Merkel duket se është ajo që drejton BE. Në Berlin kanë rënë tashmë dakord për tre postet kryesore të BE: Junckeri do të drejtojë Komisionin dhe Oettingeri do të mbetet Komisar për Energjinë. Schulzin e kanë planifikuar si president të Parlamentit Evropian.
 
E për këtë Angela Merkel nuk pret votë unanime, kur kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Evropës të mblidhen javën e ardhshme në Bruksel dhe të propozojnë Jean-Claude Junckerin si president të ardhshëm të Komisionit Evropian.
 
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, me siguri që nuk do ta ndryshojë më mendimin e tij, tha kancelarja në Berlin, pas një takimi me kolegun e saj nga Estonia, Taavi Roivas. Cameroni e kundërshton emërimin e Junckerit, sepse nën drejtimin e tij ai druhet për ndërhyrje më të forta të Brukselit në çështje nacionale. Prandaj Londra kërcënoi madje me një dalje të Britanisë së Madhe nga komuniteti i 28 shteteve. Por kancelaren Merkel duket se ky kërcënim nuk e frikëson më.
 
Javët e fundit ajo u përpoq disa herë më kot që t'ia ndryshojë mendjen kryeministrit britanik. Në Bruksel ajo nuk pret vendim unanim. Merkeli konfirmoi njëkohësisht atë që kishte thënë më parë në një takim me kryeministren daneze, Helle Thorning-Schmidt: ajo është e gatshme që t'i përgjigjet Britanisë së Madhe në çështje të tjera. Ekziston dëshira që të punohet në frymë evropiane dhe do të dëgjohet zëri i Britanisë së Madhe, veçanërisht kur të bëhet fjalë për programin e punës së Komisionit të BE-së.
  
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)