TIRANE- Aktori, shkrimtari dhe regjisori i mirënjohur Sheri Mita u nda nga jeta dje në moshën 69-vjeçare. Njihet dhe si dramaturg, komediograf, libretist, si regjisor e drejtues artistik i Varietesë së Tiranës për një dekadë. Sheri Mita i kushtoi një jetë të tërë skenës dhe kinematografisë, por nga regjimi i shkuar nuk u trajtua siç e meritonte. Fillimisht ai u largua nga Teatri Kombëtar, u dërgua si regjisor estrade në Berat. Më pas, me gjithë kërkesat e institucioneve të ndryshme për t'u kthyer përsëri në kryeqytet, atë nuk e sollën. Si hije e ndiqte pas biografia e të atit Shefki Mita, i cili kishte mërguar në Amerikë. Shefkiu ishte një profesor i shquar i gjermanishtes dhe i anglishtes, violinist i apasionuar dhe një patriot i përmalluar për ta parë atdheun e vet. Sheri ,djali i Shefkiut, me talent e vullnet u bë autori i shumë komedive dhe dramave të njohura nga publiku shqiptar. Pati suksese brilante te komedia "Këshilli i ndrikullave", e cila 30 vjet më parë u luajt nga aktorët e talentuar të trupës së teatrit të Shkodrës. E tillë është dhe "Dy krisma në Paris"... "Një dimër i shkurtër", bashkë më shumë drama, komedi, librete për estradë dhe programe për vitin e ri, shkruar nga dora e shkrimtarit tonë fteriot Sheri Mitës. Janë madhorë rolet e tij në filmat "Ngadhnjim mbi vdekjen" (ku loz në rininë e vet përkrah Artistit te Popullit Naim Frashëri) , "Në fillim të verës", "Skëterrë 43", "Netët e yjeve të përgjakura", "Gjeneral Gramafoni", "Dora e ngrohtë" e dhjetra e dhjetra role te filma të tjerë shqiptarë ku spikat portreti i jashtëzakonshëm i artistit tonë Sheri Mita, i cili karakterizohet dhe nga një zë i ngrohtë e kumbues, që do t'ia kishin zili shumë aktorë të tjerë... Ka interpretuar si aktor në teatër, si te pjesët "Shtëpia në bulevard", "Fytyra e dytë", 'Arturo Ui", 'I pazëvendësueshmi" etj. Si regjisor, përveç dhjetëra numrash estrade, ka vënë në skenë në Teatrin Popullor, në Fier, Berat, Korçë etj., disa drama e komedi. Si krijues letrar, ka shkruar gjashtë drama e komedi. Katër prej tyre: dramat "Vite të paharruara" dhe "Dy krisma në Paris" dhe komeditë "Këshilli i ndrikullave" dhe "Familja e madhe" kanë fituar çmime në konkurset kombëtare të dramaturgjisë dhe Festivalet Kombëtare të Teatrove. Në vitin 2004 u nderua me Urdhrin "Naim Frashëri i Artë". Sheri Mita, është lindur në Fterrë të Sarandës më 14-03-1943. Mbas shkollimit të mesëm, kreu Institutin e Lartë të Arteve dega Dramaturgji në vitin 1967. Fillimisht emërohet po aty pedagog i mjeshtërisë së aktorit, por hiqet për arsye biografike. Emërohet regjisor në Kinostudio, aktor në Teatrin Popullor etj., deri sa u dërgua si regjisor në Estradën e Beratit, nga ku kthehet në Tiranë në vitin 1989 fillimisht si regjisor në Cirkun e Tiranës. Në vitin 1993 emërohet në Estradën e Tiranës si drejtor e vitet e fundit udhëheqës artistik. Në vitin 2004 doli në pension.
(sg/shqiptarja.com)