TIRANË- Është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare diplomati dhe gazetari Fatmir Kumbaro. Familjarët e tij kanë bërë me dije lajmin e trishtë. Ai do të përcillet për në banesën e fundit ditën e sotme.
“Fatmir Kumbaro, Daja im i Madh ishte nga ata Burra që kudo ku shkoj në këtë jetë imponoi gjithmonë vetëm Respekt! Ai burrë i Mirë , i Drejtë, i Fortë, Punëtor , Diplomat , Gazetar, Jurist, Pedagog , Politikan e Drejtues i Mirë u nda nga kjo Jetë ne Paqe te plote me veten, se la pas nje Emër te Mire, por për Fluturë, Inen , Klevisin, Tatjanen , Ilirin dhe te gjithe shoket ,miqtë , Niperit dhe Mbesat , Familjaret e tij nje Boshllek te pazëvendësueshëm qe do te mund ta mbushim vetëm me kujtimet dhe porosite e tij te Mrekullueshme. Ishe nje Burr i madh o Daje , do na mungosh Shume , te qofte Dheu i lehte”, shkruan nipi i tij.
Fatmir Kumbaro u lindi në Tiranë me 5 dhjetor të vitit 1947. I diplomuar në fakultetin drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ai ka kryer detyra të rëndësishme; gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, pedagog në fakultetin juridik në Universitetin e Tiranës dhe Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar në vitin 1991.
Fatmir Kumbaro ka qenë ndër themeluesit e Partisë Socialiste dhe për disa vite anëtar i kryesisë së saj. Ka qenë në vitet e para të pluralizmit edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kontribut të çmuar ka dhënë Fatmir Kumbaro edhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.
I veçantë ka qenë kontributi i Fatmir Kumbaros në momentet delikate para e gjatë luftës në Kosovë, kur në përgjegjësinë e Ambasadorit në Maqedoninë e Veriut iu desh të koordinonte veprimet e shtetit shqiptar me faktorin ndërkombëtar, ashtu sikundër me të njëjtën përgjegjësi dhe angazhim luajti u angazhuar pas zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut në kohën e luftës së UÇK-së deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe më pas në implementimin e saj.
Autoriteti intelektual dhe angazhimet qytetare, të qenit i drejtë dhe kurajoz, kultura e veçantë dhe zotërimi i tetë gjuhëve të huaja e bënin Fatmir Kumbaron një figurë të veçantë, imponuese dhe të admirueshëm njëherësh.