Abdi Baleta është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga familja e tij në një postim në rrjetet sociale.

Abdi Baleta ka qenë ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ai ka qenë dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Lindita Baleta, vajza e ish-ambasadorit, ka shkruar në Facebook se babai i saj besonte te nderi dhe dashuria për familjen e për vendin.

“Me pikëllim njoftojmë se sot u nda nga jeta bashkëshorti dhe babai ynë, Abdi Baleta. Për shumëkënd ishte diplomat, gjykatës, politikan, zë i fuqishëm për kombin. Për ne ishte burrë i thjeshtë e i drejtë, bashkëshort, baba e gjysh që na mësoi me shembullin e tij. Dlirësia dhe dinjiteti dhe forca e karakterit ishin tiparet e tij. Ai besonte tek nderi, tek dashuria për familjen e për vendin. Ia kthejmë sot Zotit jetën e tij, me falënderim për të gjitha që na dha, si dhe trashëgiminë që ka lënë pas. Qoftë kujtimi i tij i bekuar për të gjithë ne që e deshëm. Pastë dritë shpirti yt, babi! Varrimi bëhet të shtunën, data 20. 09. 2025. Nisja nga shtëpia funerale Alba 2000, Rruga e Durrësit, në orën 12:00. Varrimi bëhet në Tufinë. Vizitat i presim në shtëpinë funerale Alba 2000, Rruga e Durrësit, të dielën, të martën, të mërkurën, të enjten dhe të premten, nga ora 10:00 - 13:00 dhe 17:00 - 20:00. Bashkëshortja Flutra, vajzat Teuta dhe Lindita, dhëndrri Përparimi, mbesa Anda dhe nipi Agzimi”, ka shkruar në Facebook Lindita Baleta.

Abdi Baleta lindi në fshatin Gur i Bardh të Matit në vitin 1941. Ai studio për marrëdhënie ndërkombëtare në Moskë dhe ishte diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.

Deri në vitin në vitin 1983 ka shërbyer në diplomacinë e shtetit shqiptar si punonjës e drejtor në Ministrinë e Jashtme dhe ambasador e përfaqësues i Shqipërisë në OKB. Gjithashtu ka qenë kryetar i Gjykatës së Pogradecit në periudhën 1983-1987. Në vitet 1991-1996 u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Parlament.