Orenthal James Simpson, një nga emrat më të njohur të sportit botëror dhe jo vetëm në vitet 1980-1990, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare pasi humbi betejën e tij me kancerin. Lajmin e dha familja e ish-sportistit dhe aktorit, i cili përtej famës në ekran në role të tilla, mori edhe nga ngjarja e bujshme e vdekjes së ish-bashkëshortes së tij dhe të dashurit të saj.
Familjarët bënë të ditur se ai ishte ndarë nga jeta i rrethuar nga nipat dhe stërnipat, ndërsa i kërkuan mediave privatësi për ceremoninë funebre të një personazhi që bëri bujë në mënyra të ndryshme.
Ai ishte një kampion i jashtëzakonshëm i futbollit amerikan, duke shkëlqyer në NFL me skuadrat e San Francisko 49ers dhe Buffalo Bills, teksa ndërmori më pas rolin e aktorit në disa filma të ndryshëm. Simpson po kthehej në një personazh të famshëm televiziv pasi u largua nga sporti, kur ndodhi ngjarja e bujshme e qershorit 1994, kur ish-bashkëshortja e tij, Nikol Braun Simpson dhe miku i saj, Ronald Goldman, u gjetën të vrarë jashtë apartamentit të tyre.
Simpson u shpall në kërkim, pasi ai më parë ishte akuzuar nga ish-bashkëshortja se e kishte dhunuar, shkak për të cilin palët kishin divorcuar. Por në vend që të dorëzohej në polici, ai u mundua t’i arratisej me makinë forcave të rendit dhe ndjekja e tij në rrugët e qytetit ishte një nga ngjarjet më të ndjekura televizive në SHBA, me mbi 95 milionë shikues.
Arrestimi dhe gjyqi i tij më pas u kthyen në një shfaqje po aq të madhe televizive, nga e cila O.J. Simpson doli i pafajshëm për të dy vrasjet. Megjithatë, tre vite më vonë, familjarë e viktimave hapën një çështje civile kundër tij duke e shpallur fajtor, për t’u zhdëmtuar për 33.5 milionë dollarë. Ai kaloi thuajse 9 vite në burg me akuzën e rrëmbimit, vjedhjes dhe shkeljeve të tjera në një skemë mashtrimi me materiale sportive, duke dalë nga burgu në vitin 2017.