Ndahet nga jeta përkthyesi
i shquar, Afrim Koci

Ndahet nga jeta përkthyesi<br />i shquar, Afrim Koci
Përkthyesi i mirënjohur i gjuhës gjermane Afrim Koçi u nda nga jeta në moshën 79- vjeçare duke lënë pas një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e përkthimit.
 
Përkthyes dhe redaktor, Afrim Koçi, për rreth 45 vjet ka sjellë mjeshtërisht në gjuhën shqipe emrat më në zë të kulturës dhe letërsisë botërore.
 
Bir i një babai librofil, Afrim Koçi e ka nisur karrierën e përkthimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitet ‘60-të. Në fondet e BKSh ruhen mbi 90 tituj, përkthime e redaktime nga gjermanishtja, rusishtja, italishtja, anglishtja nga disiplina të ndryshme si letërsi, shkenca humane dhe sociale, histori, albanologji, filozofi duke nisur nga sprovat e tij të para “Novela amerikane te shekullit XIX” (1973);  “Kthimi” (1976) i Jan Myrdal; “Kufiri i hijes” (1976) i Joseph Conrad;  “Drama” (1978) i Henrik Ibsen. Për të vijuar më tej me  “Farefisi” (1980) i Zhigmond Moric; “Nën rrotë” (1980) i Herman Hesse; “Drama” (1981) i Maksim Gorkij; “Reportazhet e Topgungaçit” (1984) i Robert Escarpit; “Kronikë e kohës së Karlit IX” (1989) i Prosper Merimee;  “Ora e gjermanishtes” (1989) i Siegfried Lenz; “Jashtë derës” (1989) i Woflgang Borchert.
 
Pas viteve ’90 në gjuhën shqipe do të vijnë mjeshtërisht shkrimtarë nobelistë dhe të rëndësishëm të filozofisë dhe letërsisë botërore si “Iluminacione” (1998) të Walter Benjamin; “Abrahami nuk ka faj” (1998) të Ephraim Kishon; “Anestezi Lokale” (2000) të Gunter Grass;  “Legjenda e pianistit : një monolog” (2003) i shkrimtarit italian Alessandro Baricco; “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri : 1939-1944” (2006)  i Hubert Neuwirth;  antologjinë “Tregimtarë të gjuhës gjermane pas viteve ’45” (2007); “Epshi” ( 2007) i nobelistes Elfriede Jelinek;  “Macja dhe miu” (2008) i Guntter Grass;  “Mali magjik” (2009) i Thomas Mann; “Kasandra” (2012) i Christa Wolf;  “Koha e ngrirë” (2014) i autores Anna Kim; “Portret grupi me një zonjë” (2015) i Heinrich Böll; “Haxhi Murati” (2016) i Lev N. Tolstoj; “Në gjurmët e një përralle” (2016) i Jan-Philipp Sendker etj.
 
Krahas tyre qëndrojnë edhe vepra dhe studimet më të rëndësishme në fushën albanologjisë dhe historisë si “Studime shqiptare” të Johann Georg von Hahn; “Shqiptarët nga Mesjeta deri në ditët tona” (2008) i Peter Bartl; “Mehmet pushtuesi : botësulmuesi në kapërcyell kohe” (2005) i Franz Babinger, etj.
 
Për herë të parë në Koçi solli në gjuhën shqipe veprat monumentale të Eqerem Vlorës,  “Kujtime” (2001), “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri : skicë historike” (2010) si dhe “Nga Berati në Tomorr dhe kthim: ditar” (2003),  përkthyer nga origjinali në gjuhën gjermane. Një vëmendjen e veçantë përkthyesi Koçi i ka kushtuar edhe  përkthimit të letërsisë për fëmijë si “Veti dhe Babsi” (2000) i Christine Nöstlinger, “Beni do Sarën, Sara do Timin” (2004) i shkrimtareve Carola Holland dhe Edith Schreiber-Wicke, “Beni dhe Ana” (2016)  i Peter Hartling;  “Aventurat e bletës Maja” (2010) i Valdemar Bonsels, etj.
​​​​​​​​​​​
Afrim Koçi i është shpallur Fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë “Fan Noli”, akorduar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në vitin 2010 për përkthimin e “Malit magjik” të Thomas Mann, i Shtëpisë Botuese “55”. Ndërsa Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Personaliteti i Tiranës për vitin 2007”, si “një përfaqësues i denjë i plejadës së përkthyesve, të cilët me punën e tyre, që prej vitit 1945, i kanë dhënë letërsisë shqiptare vepra të çmuara të shkrimtarëve të njohur në mbarë botën”.


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur