TIRANE- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka një numër më pak në ulëset e Kuvendit, duke rënë në 46 deputetë. Mesila Doda është larguar zyrtarisht nga partia ku ajo u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë, për dy mandate radhazi. Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, deputetja shpjegon arsyet e largimit. Ish- studentja e Lëvizjes së Dhjetorit ’90, thotë se është përjashtuar “de facto” nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, menjëherë pasi deputetja, ndryshe nga grupi i saj, votoi në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Por, nga ana tjetër, për Partinë Demokratike, Mesila Doda nuk u largua dje. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh gjatë një prononcimi për “Shqiptarja.com” se deputetja ka kohë që ka ikur nga Partia Demokratike. Ai ironizon letrën e Dodës, duke theksuar se, “mos ka ikur nga PDIU te LSI, se deputete e PD nuk është prej kohësh”.